Ekonomi

Kuvend, ndryshime në buxhetin e vitit 2026

10.11.2026 14:32

Qeveria e RMV-së ka dorëzuar në Kuvend propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2026...

Qeveria e RMV-së ka dorëzuar në Kuvend propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2026. Sipas ministres Gordana Dimitrieska Koçoska, iniciativa vjen si pasojë e çrregullimeve globale në tregjet e energjisë dhe ndikimit të tyre në ekonominë vendase, me qëllim përballimin e krizës energjetike, mbrojtjen e stabilitetit ekonomik dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale.
 
“Ribalanci i plotësuar i buxhetit nuk erdhi si rezultat i problemeve me likuiditetin e buxhetit, por si pasojë e masave të ndërmarra nga Qeveria për uljen e TVSh-së dhe akcizës tek benzina dhe dizeli. Këto masa kishin ndikim në pjesën e të hyrave buxhetore, por kështu ruajtën standardin e qytetarëve, dhe ruajtën rritjen e çmimeve. Dua të garantoj se buxheti shtetëror deri në fund të vitit është në gjendje stabile.”, - deklaroi Gordana Dimitrievska Koçoska nga Ministria e Financave.
 
Por, për partitë opozitare propozimi i ribalancit të ri të buxhetit vetëm dy muaj nga ai paraprak tregon se Qeveria ka dështuar në menaxhimin e mjeteve publike.
 
“Nga analizat e këtij dokumenti rezulton se kemi të bëjmë me një rishikim që zvogëlon përmasat e buxhetit, por nuk e zvogëlon deficitin, nuk dëshmon konsolidim fiskal, dhe nuk sjellë një ndryshim të qartë të prioriteteve zhvillimore. Ajo që vërehet është një zhvendosje e strukturës se shpenzimeve, zvogëlohen investimet kapitale, ndërsa rriten shpenzimet rrjedhëse.”, - theksoi deputetja e AKI-së, Rina Ajdari.
 
“Ribalanci i dytë i buxhetit, i dorëzuar vetëm dy muaj nga ai paraprak po hapë pyetje serioze për cilësinë e planifikimeve buxhetore. Sipas nesh, ky ribalanc nuk ofron zgjidhje për çrregullimet e vazhdueshme globale, por tregon dobësitë e planifikimit të kësaj qeverie. Të ardhurat buxhetore po ulen, deficiti buxhetor mbetet i lartë, borxhi po rritet, ndërsa investimet kapitale po ulen. Kjo është gjithçka, por jo rebalancë.”, - u shpreh Dimitar Kovaçevski nga LSDM.
 
Sipas Qeverisë, zhvillimet aktuale makroekonomike, aktiviteti ekonomik në tremujorin e dytë të vitit 2026 u përshpejtua dhe shënoi një rritje reale vjetore prej 4,3%, kundrejt rritjes prej 3,1% në tremujorin e parë. Shikuar sipas sektorëve, sektori i ndërtimtarisë realizoi një rritje të fuqishme reale prej 15,1%, sektori i shërbimeve shënoi një rritje prej 3%. 


FITIM KRYEZIU