Provimi i jurisprudencës, Mexhiti: Për herë të parë arrihet marrëveshje

10.11.2026 15:48

Mexhiti tha se ashtu siç kërkuan studentët provimet t’i japin në shqip.....

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në emisionin "VERDICT" në TVM2, tha se për herë të parë në historinë e shtetit është arritur marrëveshje që studentët shqiptarë të mund ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Me miratimin e ligjit, sipas Mexhitit, do të mundësohet që ashtu siç kërkuan studentët provimet t’i japin në shqip.

“Pra për herë të parë në historinë e Maqedonisë, penalja do të jetë në gjuhën shqipe, civilja në gjuhën shqipe, tregtarja në gjuhën shqipe, e drejta e punës në gjuhën shqipe, kushtetuesja në gjuhën shqipe, administrativja në gjuhën shqipe, ndikimi juridik ndërkombëtar në gjuhën shqipe. Pra, kërkesa e studentëve shqiptar ka qenë provimet t’i japin në gjuhën shqipe dhe do t’i japin në gjuhën shqipe.”, - deklaroi bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti.

Mexhiti kritikoi kryetarin e partisë “E di”, Maksim Dimitrievski, për qëndrimet e tij, i cili ditë më parë tha se, derisa ai është në Qeveri provimi i jurisprudencës do të mbahet vetëm në maqedonisht.

“Mendoj se Maksimi duhet ta sqarojë para opinionit, se deri dje i takonte konceptit qytetar, sot bëhet ultranacionalist. Nëse i pengon shqipja, Kumanovën e ka në dy gjuhë, duhet ta lirojë vendin e kryetarit të komunës! Nëse i pengon shqipja, Qeveria është në dy gjuhë, tabela para Qeverisë është maqedonisht dhe shqip, atëherë ministrat e tij s’duhet të jenë në Qeveri. Nëse  i pengon shqipja, Parlamenti është në dy gjuhë, atëherë deputetët e tij duhet të mos jenë në Parlament. Pra, unë këtë e shoh më tepër punë fushate zgjedhore.”, - theksoi bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti.

Ndryshe, zgjidhjen ligjore të cilën e shpalosi Ministria e Drejtësisë, studentët e kundërshtuan duke thënë se nuk është e plotë. Edhe opozitarja BDI e ka cilësuar si skandaloze dhe se, sipas tyre, kjo zgjidhje është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Provimi i jurisprudencës, Qeveria kërkon mendim urgjent nga Komisioni i Venecias

Ndërkohë Qeveria, në mbledhjen e sotme, ka miratuar nevojën për marrjen e një mendimi urgjent nga Komisioni i Venecias lidhur me modelin e propozuar për dhënien e provimit të jurisprudencës bëjnë të ditur nga Qeveria.
 
Me këtë hap sigurohet një vlerësim i pavarur ndërkombëtar dhe profesional për përputhshmërinë e zgjidhjes së propozuar me Kushtetutën, instrumentet juridike ndërkombëtare dhe standardet evropiane. Në kuadër të kësaj procedure, raportuesit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë takime me përfaqësues të institucioneve relevante, partitë politike parlamentare, dekanët e pesë fakulteteve juridike dhe përfaqësuesit e organizatave studentore, thuhet në njoftimin e Qeverisë. (Artan Nuhiu, TVM2)