Maqedoni
Përplasjet politike për Bankën ALTA, LSDM kërkon sqarime për shpëtimin e bankës
10.11.2026 15:05
LSDM-ja opozitare ka ngritur pyetje publike sa i përket procesit të paralajmëruar për shpëtimin e Bankës ALTA nga pronarë të rinj....

LSDM-ja opozitare ka ngritur pyetje publike sa i përket procesit të paralajmëruar për shpëtimin e Bankës ALTA nga pronarë të rinj. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, thotë se procesin e shitjes së bankës, sipas ligjit, duhet ta drejtojë Banka Popullore, ndërsa ka disa ditë që për këtë çështje flet kryeministri Hristijan Mickoski. Filipçe ngriti gjithashtu dyshime nëse gjendja financiare e Bankës ALTA në Maqedoni është reale, dhe se nuk është një përsëritje e skenarit në Serbi, ku bilanci i bankës ekzistonte vetëm në letër.
"Sipas ligjeve dhe rregulloreve, për organizimin e një ankandi kërkohen të paktën dy banka. A janë gjetur këto banka, apo Hristijan Mickoski e ka marrë përsipër të gjithë detyrimin ligjor të Bankës Popullore? A e di ai se cilat janë këto banka? A janë përzgjedhur bankat që do të marrin pjesë në ankand? Nëse janë përzgjedhur, pse nuk jemi në dijeni për to? Nëse nuk janë përzgjedhur, si dhe në çfarë cilësie ai po i kërkon dhe po i shpall ato?", - deklaroi Venko Filipçe nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Filipçe është nervoz për faktin se do të gjendet zgjidhje
Në një përgjigje nga VMRO-DPMNE-ja thuhet se Filipçe është nervoz për faktin se do të gjendet zgjidhje për Bankën ALTA. Ndërsa nëpërmjet një konference për media, partia në pushtet ka akuzuar LSDM-në se gjatë pushtetit të saj është bërë pastrim parash nga Venezuela nëpërmjet Bankës Eurostandard.
“Në vitin 2019, kur Zaevi ishte kryeministër dhe Filipçe ishte ministër, përmes Bankës Eurostandard u përpunuan transaksione në vlerë totale prej 110 milionë eurosh, të cilat përfshinin fonde të dyshimta nga Venezuela, vend që në atë kohë ndodhej nën sanksione. Për më tepër, këto transaksione kaluan përmes, ose mbërritën në vende si Rusia, Bjellorusia dhe Serbia. Kudo që ndodhen Filipçe dhe Zaev, janë të pranishme ndikimet ruse, bjelloruse dhe serbe.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë që vazhdojnë përplasjet politike, klientët e Bankës ALTA vazhdojnë të presin në radhë për të tërhequr paratë. Gjatë ditës së djeshme, 750 klientë kanë tërhequr para, përfshirë edhe në sportelet e reja në Tetovë dhe Strumicë. Ndërsa nga sot, Banka Popullore ka siguruar edhe shërbime elektronike dhe shërbime përmes telefonit celular për klientët.
BENJAMIN ARIFI
