Reforma në drejtësi, Projekt - Kodi Penal iu dorëzua KE-së për mendim
10.11.2026 15:48
Projekt-Kodi Penal dhe Ligji për Procedurën Penale i janë dorëzuar Komisionit Evropian për mendim....

Projekt-Kodi Penal dhe Ligji për Procedurën Penale i janë dorëzuar Komisionit Evropian për mendim. Nga Ministria e Drejtësisë bëjnë të ditur se po vazhdon procesi i reformës gjithëpërfshirëse të legjislacionit penal dhe harmonizimi i tij me standardet evropiane. Qëllimi është krijimi i një kornize ligjore që do të mundësojë hetime efikase, procedura të drejta gjyqësore, zbatim të barabartë të ligjit dhe përgjegjësi pa përjashtime.
“Kodi i ri Penal po përgatitet pas tri dekadash, ndërsa së bashku me Ligjin e ri për Procedurën Penale synon të sigurojë luftë më efikase kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, procedura gjyqësore më të drejta, mbrojtje më të mirë të viktimave dhe siguri më të madhe juridike për qytetarët.”, - thanë nga Ministria e Drejtësisë.
Në tekstin e propozuar, për të cilin ka punuar për gjashtë vjet një grup ekspertësh i udhëhequr nga akademiku Vllado Kambovski, janë përfshirë 33 direktiva relevante të Bashkimit Evropian, ndërsa janë shqyrtuar mbi 50 mendime dhe propozime.
Ndërkohë, me propozim të deputetëve të shumicës parlamentare, në Kuvend pritet të shqyrtohen ndryshimet në Kodin Penal, me qëllim të zvogëlimit të rreziqeve që lidhen me anëtarësimin e vendit në SEPA, Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave.
“Me këto ndryshime do të forcohen dispozitat që kanë të bëjnë me konfiskimin e pasurisë, financimin e terrorizmit, si dhe nenet që rregullojnë veprën penale të pastrimit të parave.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
Shumica parlamentare, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, po ndërhyn sërish në legjislacionin penal, këtë herë përmes procedurës së shkurtuar, kanë reaguar nga opozita. Sipas partisë E Majta, problematike është se me ndryshimet e propozuara në nenin 394 hiqet tërësisht dispozita ekzistuese që parasheh dënim me burg prej një deri në dhjetë vjet për veprimet e kryera nga pakujdesia nga zyrtarët dhe personat përgjegjës, të ngarkuar për parandalimin e financimit të terrorizmit.
FITORE NAGAVCI
