Strugë, Qyra shpalos punën e vitit të parë të mandatit

10.11.2026 16:33

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra...

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, shënoi njëvjetorin e marrjes së mandatit në krye të komunës. Me këtë rast, shpalosi aktivitetet dhe rezultatet  e arritura gjatë vitit të parë të qeverisjes lokale. Bilanci i vitit të parë sipas tij konsiston në infrastrukturën rrugore dhe kthimin e borxhit komunal.

“Kemi nisur nga pjesa financiare e cila për qytetarët duhet ta dinë se ne kemi arritur të paguajmë borxhet e vjetra, 2 milionë e gjysmë euro, borxhe të cilat kanë qenë në bazë të përmbarimeve. Kemi vazhduar  në infrastrukturën e cila pjesa dërmuese po mbarohet në atë që  kemi nisur në rrugën e Kolektorit ose Ndryshimit, rrugën e Turistikës, Askampit, mandej, gypat e azbestit, të cilat janë në përfundim e sipër. Të gjitha këto projekte janë rreth 80% të realizuara. Vazhdojmë me projekte në Vranishtë, kanalizimin ku edhe ai projekt është  90% i realizuar dhe vazhdojmë me projekte të tjera.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.

Sipas Qyrës, Struga ballafaqohen edhe me probleme të tjera si ujësjellësi, por ky projekt kërkon bashkëpunim me Qeverinë dhe institucionet relevante.

“Procesi i rrjetit të ujësjellësit është proces shumë i gjatë dhe rrjeti i ujësjellësit është nga vitet e 60-ta. Për atë bëjmë pjesë tani në ndërrimin e gypave të asbestit, ku pjesa dërmuese e ujit humbet në ato gypa, dhe, ne bëjmë sanimin e tyre. Normalisht  kemi edhe dy projekte private ku kanë investuar kompanitë private dhe qytetarët që ka të bëjë me Ladorishtin edhe në Okthizë, por nuk do të thotë se kjo zgjidhet shpejt.”, - theksoi kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.

Kreu i  Komunës së Strugës, Qyra, pohon se në administratë nuk është arritur efikasitet i plotë dhe se këtu do të jetë fokusi i tij menaxhues në të ardhmen. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)