Botë
Lazarat, vritet efektivi i RENEA-s, 2 të tjerë të lënduar
24.06.2015 15:58
Gjatë një operacioni antidrogë, që rezultoi me një përleshje me armë zjarri mëngjesin e sotëm në Lazarat, ka humbur jetën një efektiv i forcave speciale të RENEA-s dhe dy të tjerë janë plagosur...

Gjithçka ka nisur gjatë natës, kur një grup personash të armatosur kanë qëlluar në drejtim të Policisë.
Gjatë operacionit, në momentin që policia ka bllokuar makinën me disa persona të dyshuar si të armatosur, është qëlluar mbi efektivat nga dy banesa aty pranë.
Për pasojë ka humbur jetën efektivi, Ibrahim Basha, 31 vjeç, pjesë e Forcave Speciale RENEA. Ndërkohë, të plagosur kanë mbetur dy efektivë të tjerë të policisë.
“Është një ditë zie për të gjithë Policinë e Shtetit, për të gjithë punonjësit, familjet e Policisë së Shtetit dhe besoj për çdo shqiptar, çdo familje shqiptare që vlerëson ndershmërinë, kurajon, që vlerëson shërbimin e Policisë së Shtetit dhe këtyre djemve. Sot ka zi!”- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Grupi i efektivëve që është goditur ka qenë në skenën e operacionit në një automjet të papërshtatshëm. Ky nuk është momenti për t’u ndalur këtu, por një analizë e plotë dhe e gjithanshme për humbjen dhe vënien në rrezik të jetës së efektivëve, duhet kryer”- tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Por, as në këtë ditë nuk kanë munguar akuzat mes krerëve të politikës shqiptare. Duke u shprehur ngushëllime të afërmve të efektivit të vrarë, kryeministri dënoi deklaratën e PD-së, e cila, sipas tij, ka një kuptim të dyfishtë, që fajëson edhe Policinë e Shtetit.
“Ndjehem vërtet keq, ata që për faqen e tyre të zezë edhe në këtë moment që policia është në fushën e betejës me një grup vrasësish, flasin me dy kuptime dhe i kërkojnë llogari policisë, edhe duke e fajësuar jo dhe aq në mënyrë indirekte”- theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
I menjëhershme ka qenë kundërpërgjigja e kreu të PD-së.
“Nuk ka asgjë të dykuptimtë në deklaratën e PD-së. Nuk ka asgjë të dykuptimtë për mbrojtjen e jetëve të efektivëve. Deklarata e Ramës është një deklaratë e papërgjegjshme, djallëzore dhe e errët”- u shpreh kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Policia ka lokalizuar vendndodhjen e grupit të armatosur dhe po punon për kapjen e tyre.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
