Maqedoni
Beteja e Haraçinës, përkujtohen dëshmorët e kombit
24.06.2015 16:05
Me homazhe dhe një minutë heshtje, Haraçina sot përkujtoi dëshmorët e rënë në vitin 2001 në betejën e zhvilluar në Haraçinë...

Kjo luftë paraqet një ngjarje madhështore për mbarë popullin shqiptarë dhe me këtë luftë duhet të krenohen të gjithë shqiptarët, u shpreh kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.
Ai thekson se pikërisht në betejën e Haraçinës, falë këtyre djemve, Ushtria Çlirimtare Kombëtare ka shënuar fitoren.
“Sot shënojmë 14 vjetorin e betejës së Haraçinës, luftës së vitit 2001. Këtu janë venduar themelet e këtij populli dhe gjeneratë pas gjenerate do të përkujtohen. Falë këtyre djemve, falë vendosmërisë së tyre që qëndruan dhe jo vetëm që qëndruan në pikat e tyre, por edhe arritën ta zmbrapsin armikun edhe pas shumë humbjeve, dhe këtu u vendos edhe themeli dhe fitorja e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”- deklaroi kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.
Në Qendrën Memoriale në Haraçinë, përveç 6 dëshmorëve, Agim Nebiut, Zijadin Zymberit, Mirsad Avdylit, Skender Metallarit, Fejzi Sulisit dhe Zekerija Hasanit janë të varrosur edhe Abaz Beqiri dhe Adem Hasani, të cilët u vranë në Gazi Babë nga ana e policisë dhe Naser Ajvazi, i cili u vra në vitin 2008.
ERSAN PAJAZITI
