Ekspertët për krizën politike: Mjaft vendosën partitë, institucionet të respektojnë ligjet

24.06.2015 16:20

Maqedonisë i nevojiten vendime dhe ndryshime sistematike...

Duhet përforcuar njëherë e përgjithmonë institucionet e vendit, të demokratizohen partitë politike dhe të përforcohet roli i qytetarëve në nivel qendror dhe lokal. Këtë e konstatuan ekspertët në debatin shkencor kushtuar krizës politike dhe sigurisë në Maqedoni.

Ata janë të mendimit se në Maqedoni duhet dhënë fund praktikës së krijuar që partitë politike të marrin vendime gjithmonë kur ka krizë politike, por t’u lihet institucioneve të veprojnë në kuadër të kornizës ligjore.

“Nevojitet të përforcohet roli i Avokatit të Popullit, duhet përforcuar edhe roli i qytetarëve në proceset participuese, që si për shembull të mundësohet që në sistemin zgjedhor të ketë votim në bazë të preferencave, që qytetarët vetë t’i zgjedhin kandidatët. Duhet të rritet transparenca e buxhetit, buxheti të formohet në bazë të rezultateve. Duhet të kemi demokratizim të partive me autonomi sa më të madhe. Duhet të mundësohet funksionimi i shtetit dhe institucioneve, e jo vendimet e liderëve”- deklaroi profesori, Zhidas Daskallovski.

“Çështja kryesore që po parashtrohet është se si të zvogëlohet ndikimi i qeverisë që ka në këto momente e që asnjë institucion defakto nuk mund ta kontrollojë atë, sepse edhe pse ato dejure kanë kompetenca ligjore për të vepruar, nuk e bëjnë atë për shkak se ata janë të varura nga qeveria”- tha profesori, Miodrag Laboviq.

“Duhet të miratohet ligj i veçantë për siguri kombëtare. Këtë e kam propozuar qysh në vitin 1994, mirëpo asnjë qeveri në pushtet deri më tani nuk i pranoi këto propozime. Me këtë ligj për siguri kombëtare duhej të përfshihen kompetencat dhe veprimet e të gjitha subjekteve në fushën e sigurisë, ndërsa me aktet nënligjore duhej të precizohej komunikimi dhe bashkëpunimi i tyre”- theksoi profesori, Tome Backoski.

Pjesëmarrësit në këtë debat gjithashtu konstatuan se në të ardhmen duhet punuar në gjetjen e një sistemi të veçantë, i cili do t’u mundësonte institucioneve të punojnë të pavarura pavarësisht se cila parti është në pushtet. (Rexhep Qamili, TVM2)