Maqedoni

Miratimi i propozim-ligjit për jurisprudencën, VLEN-i e përshëndet, BDI-ja e kritikon zgjidhjen

11.11.2026 14:04

Kryesia Qendrore e VLEN-it zhvilloi mbledhje, në të cilën vlerësoi se ky është një hap historik drejt mundësimit të dhënies së provimit edhe në gjuhën shqipe....

Pas miratimit në Qeveri të propozimit për provimin e jurisprudencës, Kryesia Qendrore e VLEN-it zhvilloi mbledhje, në të cilën vlerësoi se ky është një hap historik drejt mundësimit të dhënies së provimit edhe në gjuhën shqipe. Afan Elezi nga kjo parti tha se për 35 vjet studentët shqiptarë e dhanë jurisprudencën në maqedonisht, ndërsa VLEN-i po e ndryshon këtë.
 
“Pas 35 vitesh pritjeje nga pavarësimi i shtetit dhe 58 vite pritjeje nga Ligji i parë për provimin e jurisprudencës, studentët shqiptarë për herë të parë do të kenë mundësinë që provimin e jurisprudencës ta japin edhe në gjuhën shqipe. Ky është një vendim me rëndësi të veçantë për gjeneratat e juristëve shqiptarë, por edhe një dëshmi se problemet trashëguara dhe të lëna pezull për dekada mund të marrin zgjidhje kur ka vullnet dhe përgjegjësi politike.”, - u shpreh Afan Elezi nga VLEN.
 
Ndërkohë, reagoi nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, i cili përmes një postimi në Facebook tha se një zgjidhje e tillë për provimin e jurisprudencës nuk përbën realizim të plotë të së drejtës, por kufizim të saj.
 
“Në vend që të garantohet mbajtja e tij në gjuhën shqipe, po diskutohet që pjesa teorike të mbahet në shqip, ndërsa ajo praktike jo. Pra, procesi që duhet të garantojë realizimin e një të drejte, shndërrohet në instrument për kufizimin e saj. Kompromisi i sotëm bëhet precedent për kufizimin e së nesërmes, ndërsa kufizimi gradual në fund paraqitet si standard i ri. Kur ngushtimin e një të drejte e feston si sukses në zbatimin e saj, nuk je duke e mbrojtur atë të drejtë, por duke ndihmuar në përcaktimin e kufijve të saj.”, - deklaroi nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani. 
 
Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka njoftuar se Qeveria do të kërkojë mendim urgjent nga Komisioni i Venecias lidhur me modelin e ri të provimit të jurisprudencës. Ai bëri të ditur se raportuesit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë takime me institucionet, partitë parlamentare, dekanët e pesë fakulteteve juridike dhe përfaqësuesit e studentëve. Studentët që iniciuan këtë çështje e kundërshtojnë zgjidhjen e propozuar ligjore, sipas së cilës 10 provime do të mbaheshin në shqip dhe dy në maqedonisht, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe.
 
ARTAN NUHIU