Maqedoni

Seancë e Këshilli Gjyqësor, Subhi Jakupi u zgjodh kryetar i Gjykatës Administrative

11.11.2026 14:28

Këshilli Gjyqësor zgjodhi Subhi Jakupin - kryetar të ri të Gjykatës Administrative...

Këshilli Gjyqësor zgjodhi Subhi Jakupin - kryetar të ri të Gjykatës Administrative. Gjatë diskutimit, disa anëtarë të Këshillit vlerësuan aftësitë drejtuese, përvojën e fituar në Gjykatën e Lartë Administrative, si dhe personalitetin e tij.
 
“Ky kandidat edhe pse ka përvojë më të vogël prej gjykatësi, ai ka qenë gjithmonë në organet administrative shtetërore  dhe ka menaxhuar me organet administrative shtetërore dhe gjithkund ka dëshmuar sukses në menaxhim, dhe, po ashtu me thirrje është "profesor në të drejtën administrative.", - deklaroi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Isamedin Limani.
 
“Shpresoj se do ta përmbushë premtimin që e ka në program. I uroj për përzgjedhjen dhe shpresoj se me këtë gjykatë do të menaxhojë me sukses, ku ka shumë sfida.”, - theksoi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Sadulla Izairi.
 
Anëtari Ivica Stefanovski  mes tjerash si argument për mbështetjen e Jakupit përmendi edhe parimin e  përfaqësimit të drejtë  dhe adekuat, gjersa  Danka Ristova theksoi se programi i tij dallon nga programet e kandidatëve të tjerë, ku  identifikohen saktësisht edhe dobësitë e sistemit.
 
“Ajo që në veçanti më obligoi të votoj për këtë anëtar, është parimi kushtetues i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të kandidatëve, qoftë gjatë zgjedhjes së gjykatësve, qoftë në zgjedhjen e kryetarëve të gjykatave.”, - theksoi anëtarja e Këshillit Gjyqësor,  Ivica Stfanovski.
 
“Votova për kandidatin për shkak që mendoj se programi i tij pak dallon nga programet e kandidatëve të tjerë, për arsye se që nga fillimi vërehet se gjykatësi ka marrë pjesë në konstituimin e Gjykatës Administrative.”, - u shpreh  anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Danka Ristova.
 
Kundër Jakupit doli Suzana Joshevska me arsyetimin se kandidati i përzgjedhur nuk ka përvojë në organin ku do të menaxhojë.
 
“Nga të gjithë katër kandidatët, ky gjykatës është i vetmi  që nuk ka asnjë ditë përvojë në gjykatën ku dëshiron të menaxhojë, respektivisht është  zgjedhur drejtpërdrejt në Gjykatën e Lartë Administrative dhe përvoja e tij prej gjykatësi është vetëm atje.”, - deklaroi anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Suzana Joshevska.
 
Për postin e kryetarit të Gjykatës Administrative kishin aplikuar pesë kandidatë. Aplikimet e Subhi Jakupit, Gazmend Fejzullit, Edita Naskovës dhe Gjoko Zhivkovskit, ishin dorëzuar në afat dhe ishin të kompletuara, ndërsa aplikimi i Lulzim Saliut ishte refuzuar si i pakompletuar.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU