Maqedoni

Të arrestuarit në Kumanovë, Raufi: nuk po respektohen të drejtat e njeriut

24.06.2015 16:28

Nuk po respektohen të drejtat e njeriut për të arrestuarit në aksionin policor në Kumanovë, theksoi avokati mbrojtës, Naser Raufi...

Nuk po respektohen të drejtat e njeriut për të arrestuarit në aksionin policor në Kumanovë, theksoi avokati mbrojtës, Naser Raufi, duke shtuar se këto të drejta duhet të respektohen edhe në rastet tjera kur bëhet fjalë për akuzën terrorizëm. 
 
“Jo vetëm për këtë, por edhe në raste të tjera, delikti apo terrorizmi, aspak nuk janë respektuar të drejtat. Në këtë rast po ashtu. Kishim një gjendje kur një i burgosur, Qenan Hiseni, duke qenë në paraburgim pa urdhër të gjykatësit, pa urdhër të prokurorit, me iniciativë të dy inspektorëve kanë shkuar dhe kanë marrë deklaratë prej tij. Si më tha bile e kanë detyruar të nënshkruaj deklaratën dhe e kanë kanosur. Para asaj kishim edhe katër të akuzuar që i mbrojmë, klientët e mi, që i dërguan në burgun e Prilepit dhe Manastirit, në kushte jashtëzakonisht të këqija, pa arsye, pa gabuar rendin shtëpiak apo ndonjë gabim tjetër që të kenë arsye pse e kanë atë izolim”- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Raufi tha se rasti i Kumanovës ka mbetur në status quo, pasi që akoma nuk është caktuar apo paralajmëruar se kur mund të fillojnë deklarimet e të akuzuarve para prokurorisë.
 
“Procedura për të arrestuarit e rastit të Kumanovës është në status quo, pasi ende nuk ka paralajmërim nga ana e prokurorisë për krimin e organizuar se kur do të fillojë dinamika e deklaratave që duhet t’i japin këta të akuzuar”- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Të arrestuarit në rastin e Kumanovës janë vendosur në burgje të ndryshme, familjarët dhe avokatët e tyre shpesh ankohen për kushtet katastrofale në të cilat mbahen, por edhe për keqtrajtimet që po u bëhen. 
 
FLORIJE KAMBERI