Maqedoni
Ekspertët: Po harmonizohet menaxhimi i pyjeve me BE-në
11.11.2026 14:41
Maqedonia e Veriut po bën hapa drejt harmonizimit të menaxhimit të pyjeve me standardet evropiane...

Maqedonia e Veriut po bën hapa drejt harmonizimit të menaxhimit të pyjeve me standardet evropiane, përmes zbatimit të standardit ndërkombëtar FSC, i cili përcakton kritere të qarta për shfrytëzimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve pyjore. Sipas ekspertëve, FSC është një nga standardet më të njohura dhe më rigoroze në botë, i cili përcakton indikatorë dhe kritere konkrete për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve.
“Certifikata FSC është në fakt standardi më i njohur, më rigoroz dhe më cilësor në botë, i cili garanton se pyjet menaxhohen në mënyrën më të qëndrueshme. Të gjitha vendet e Evropës e zbatojnë këtë standard. Falë dy viteve punë të ekspertëve të fushës së pylltarisë, si vendorë ashtu edhe të huaj, kemi arritur të përcaktojmë kritere dhe indikatorë të qartë për zbatimin e këtij standardi në të gjithë territorin e vendit. Me këtë certifikatë, Maqedonia po i bashkohet pylltarisë bashkëkohore, moderne dhe të qëndrueshme evropiane.”, - deklaroi profesori universitar, Nikollçe Vellkovski.
“Bashkë me profesorin, që më herët kemi arritur në përfundimin se vetëm përmes zbatimit të standardeve të larta mund të arrijmë një pylltari moderne dhe të avancuar. Problemet kanë ekzistuar. Keqpërdorimet, rrethanat e ndryshme, ndikimet politike dhe aspekte të tjera që kanë ndikuar negativisht në sektorin e pylltarisë në periudhat e kaluara, kanë lënë gjurmët e tyre. Jam i bindur se zgjidhja qëndron pikërisht në ngritjen e standardeve të larta të punës. Përmes zbatimit të këtyre standardeve, para së gjithash presim mbrojtjen e pyjeve dhe menaxhimin e tyre të përhershëm dhe të qëndrueshëm.”, - theksoi drejtori i NP “Pyjet e Maqedonisë”, Zdravko Trajanov.
Përfaqësuesit e FSC-së theksojnë se rëndësia e këtij standardi qëndron edhe te mundësia e ndjekjes së origjinës së produkteve, nga pyjet e certifikuara deri te konsumatori përfundimtar.
“FSC në thelb ofron një kombinim zgjidhjesh që garantojnë menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, si dhe gjurmueshmërinë dhe transparencën e produkteve, nga pyjet e certifikuara deri te konsumatorët fundorë. Ekzistojnë zgjidhje të ndryshme që mund të zbatohen në faza të ndryshme të zinxhirit.”, - u shpreh përfaqësuesi i Certifikatës FSC, Diego Glorian.
Vendi është shteti i 33-të që zbaton këtë standard, i cili synon jo vetëm mbrojtjen e pyjeve, por edhe garantimin e gjurmueshmërisë së produkteve që vijnë prej tyre.
REXHEP QAMILI
