FC Shkupi në listën e 16 klubeve evropiane pa asnjë fitore
11.11.2026 14:45
Klubi i futbollit Shkupi është përfshirë në mesin e 16 ekipeve evropiane që ende nuk kanë regjistruar asnjë fitore në kampionatet e tyre gjatë sezonit aktual....

Klubi i futbollit Shkupi është përfshirë në mesin e 16 ekipeve evropiane që ende nuk kanë regjistruar asnjë fitore në kampionatet e tyre gjatë sezonit aktual. Skuadra që u rikthye në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut vazhdon të mos e gjejë formën e duhur dhe pas 13 xhirove mbetet pa fitore. Skuadra nga Autokomanda deri më tani ka grumbulluar vetëm katër pikë, me katër barazime dhe nëntë humbje, për çka ndodhet në pozitën e fundit në tabelë. Rezultatet e dobëta e kanë vendosur Shkupin në një listë jo të lakmueshme evropiane, ku bëjnë pjesë klube nga disa shtete, përfshirë Çekinë, Holandën, Maltën, Armeninë, Francën, Portugalinë dhe Greqinë.
Në mesin e skuadrave që ende presin fitoren e parë kampionale janë Zlini nga Çekia, Willem II nga Holanda, Le Havre nga Franca, Estoril nga Portugalia dhe Volos nga Greqia. Bilancin më të dobët e ka Swift Hesperange nga Luksemburgu, i cili pas 12 ndeshjeve të zhvilluara ka po aq humbje dhe ende nuk ka fituar asnjë pikë. Problem shtesë për Shkupin është edhe paqëndrueshmëria në pozitën e trajnerit. Që në fillim të sezonit pati ndryshim në bankinë, ku Muarem Muarem u zëvendësua nga Ivan Varadinovski. Megjithatë, as ndryshimi i trajnerit nuk solli kthesën e dëshiruar dhe skuadra shkupjane vazhdon të mbetet në fund të tabelës, në pritje të fitores së parë këtë sezon.
