Çurlinov: Besojmë në rezultate pozitive

11.11.2026 14:52

Përfaqësuesja e Maqedonisë ka vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve....

Përfaqësuesja e Maqedonisë ka vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve. Të përzgjedhurit e selektorit Goce Sedloski i presin një ndeshje si mysafirë kundër Skocisë në Glasgow dhe një përballje me Slloveninë në terren vendas. Pritshmëritë e tij për këto dy sfida i ka ndarë futbollisti i rikthyer në përfaqësuese, Darko Çurlinov.
 
“Gjithmonë ka qenë nder për mua të luaj me këtë fanellë dhe gjithmonë do të jap maksimumin. Shpresojmë për më të mirën. Natyrisht, do të bëjmë analizat e nevojshme dhe do të përpiqemi të zbatojmë në fushë gjithçka që do të na thotë trajneri”, theksoi Çurlinovi.
 
Futbollisti i krahut konsideron se minutazhi i mirë që përfaqësuesit kanë në klubet e tyre mund të jetë një faktor i rëndësishëm në sfidat e ardhshme.
 
“Minutat e luajtura në klub janë shumë të rëndësishme dhe ajo energji bartet edhe këtu. Është mirë që të gjithë luajmë në klubet tona dhe kemi minutazh. Besoj se kjo do të ketë ndikim pozitiv në këto dy ndeshje”, shtoi përfaqësuesi i Maqedonisë.
 
Çurlinovi beson se Maqedonia ka cilësinë e nevojshme për të konkurruar me çdo kundërshtar, pavarësisht emrave dhe potencialit individual të ekipit kundërshtar.
 
“Skocia i ka McTominay, Gilmour dhe Robertson, ndërsa ne i kemi Elif Elmasin, Bardhin dhe Stole Dimitrievskin. Sot nuk ka përfaqësuese që nuk mund të mposhtet, prandaj këtë duhet ta dëshmojmë në fushë”, porositi Çurlinovi.
 
Maqedonia të premten do të luajë si mysafire kundër Skocisë në Glasgow, ndërsa tri ditë më vonë, në terren vendas, do ta presë Slloveninë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve.