Botë

Bisedimet e Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi, arrihet marrëveshje për shkëmbim robërish

11.11.2026 14:59

Bisedimet dyditore midis Ukrainës dhe Rusisë të ndërmjetësuara nga ShBA-ja në Abu Dhabi...

Bisedimet dyditore midis Ukrainës dhe Rusisë të ndërmjetësuara nga ShBA-ja në Abu Dhabi, kanë rezultuar me marrëveshje për një shkëmbim të madh të robërve të luftës, por jo edhe me marrëveshje për ndërprerjen e konfliktit. Ende mbeten mosmarrëveshje serioze lidhur me territoret, garancitë e sigurisë dhe kushtet për përfundimin e luftës. Kryenegociatori rus, Vladimir Medinski, njoftoi se të dyja palët kanë arritur një mirëkuptim të caktuar dhe se do të ketë bisedime të tjera. 
 
“Në parim jemi pajtuar për një shkëmbim të ri të madh të të burgosurve, parametrat konkretë të të cilit do të bëhen të ditur në të ardhmen e afërt.”, - theksoi kryenegociatori rus, Vladimir Medinski.
 
Deri më tani nuk është bërë i ditur numri përfundimtar i robërve që do të shkëmbehen, as data e shkëmbimit. Ndërmjetësi amerikan, Xhered Kushner, i cilësoi bisedimet si thelbësore, por të vështira, pas gati tetë muajsh pa takime të drejtpërdrejta në këtë nivel, prandaj thekson nevojën për një takim mes presidentit Ukrainas Zelenski dhe atij rus Putin.
 
“Do të ishte shumë mirë që Zelensky dhe Putini të takoheshin personalisht për të zhvilluar bisedime të mëtejshme. Por, rusët kanë thënë se dëshirojnë të shohin më shumë përparim përpara se kjo të ndodhë. Është e qartë se aktualisht nuk ka besim të madh mes liderëve, por këto marrëveshje kërkojnë kohë.”, - u shpreh ndërmjetësuesi i ShBA-së, Xhered Kushner. 
 
Ai njoftoi se së bashku me të dërguarin e posaçëm amerikan, Stiv Uitkof, të enjten do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, ndërsa më pas do të udhëtojnë drejt Dublinit për një takim me presidentin ukrainas, Volodimir Zelenski. Sipas Kushnerit, qëllimi i takimeve është vazhdimi i punës për çështjet e hapura në Abu Dhabi dhe shqyrtimi i mundësive për përparim në negociata.
 
GYLTENE SINANI