Kriza energjetike, RMV-ja mbështetet te thëngjilli kosovar
Maqedonia e Veriut do të importojë rreth 3 milionë tonë thëngjill....

Maqedonia e Veriut do të importojë rreth 3 milionë tonë thëngjill nga Kosova në 3 vitet e ardhshme, për të përballuar krizën energjetike. Kështu informoi sot kryeministri Hristijan Mickoski në brifingun e rregullt me gazetarë.
RMV-ja, 200 kamionë thëngjill në ditë nga Kosova
Qëllimi është që të importohen rreth 200 kamionë, ose rreth 6.000 tonë thëngjill në ditë. Për ta mundësuar këtë do të hapet edhe një vendkalim i posaçëm afër Bllacës, në rrugën që më herët e ka shfrytëzuar KFOR-i.
“Një vendkalim kufitar i posaçëm është planifikuar për transport, ku do të angazhohen Ushtria dhe Dogana. Do të jetë afër vendkalimit kufitar Bllacë, në një rrugë që e ka shfrytëzuar KFOR-i.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Thëngjilli nga Kosova do t’i mundësojë EMV-së të prodhojë energji elektrike shumë më të lirë, krahasuar me çmimin aktual.
“EMV-ja do të sigurojë prodhim të qëndrueshëm nga tre njësitë në Manastir, dhe gjithashtu në Osllomej.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Një masë tjetër që e paralajmëroi kryeministri për përballjen me krizën energjetike është edhe importi i mazutit nga Selaniku për termocentralin në Negotinë, nëpërmjet një linje të posaçme hekurudhore. Këto masa, sipas kryeministrit, janë përpjekje për të siguruar furnizim të pandërprerë dhe të lirë me energji elektrike, në kushte kur energjia elektrike dhe gazi janë trefishuar në tregjet globale sipas tij. Rezervat e gazit në Evropë, sipas Mickoskit, janë vetëm 50% krahasuar me nevojat për tejkalimin e stinës së dimrit. (Benjamin Arifi, TVM2)
