Maqedoni

Kozijas: për emrin ekziston zgjidhje; Popovski: mirëbesimi ta paraprijë zgjidhjen e emrit

24.06.2015 16:52

Me 11 masa për bashkëpunim të ndërsjellë, Maqedonia dhe Greqia nisin procesin e vendosjes së besimit midis dy popujve për t’i hapur rrugën zgjidhjes së çështjes së emrit...

Kështu u morën vesh ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Kozijas, dhe homologu i tij maqedonas, Nikolla Popovski, pas takimit në Shkup.
 
Bashkëpunimi, midis tjerash, përfshin sferën e arsimit, kulturës, shëndetësisë, ekonomisë, tregtisë dhe energjetikës.
 
Me vendosjen e besimit të ndërsjellë, sipas shefit të Diplomacisë greke, Kozijas, mund të tejkalohen dallimet për mosmarrëveshjen e emrit të Maqedonisë.
 
“Ekziston një dallim sa i takon emrit, por për çdo problem ekziston zgjidhje. Shpresoj se do të kemi mundësi që të takohemi dhe të bisedojmë, midis tjerash, edhe për çështjen e emrit. Besoj se ne të dy jemi të vendosur që të gjejmë zgjidhje. Të dy vendet duhet që të bashkëpunojnë në fushën e arsimit dhe, kuptohet, edhe në fushën e kulturës”- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kozijas.
 
Ministri Popovski ishte i prerë, duke thënë se mungesa e mosbesimit midis dy popujve ka ndikuar që problemi i mosmarrëveshjes me emrin të mos marrë zgjidhje për shumë vite. Ai deklaron se zgjidhjes së emrit duhet t’i paraprijë ndërtimi i mirëbesimit të ndërsjellë.  
 
“Sot nuk kemi zgjidhje për këtë kontest, kjo është e sigurt, por kemi qasje e cila na mundëson që në një periudhë të ndërtojmë klimë të afrimit midis dy vendeve. Problemi ynë më i madh është mosekzistimi i besimit para së gjithash në nivel politik dhe ky mosbesim nuk mund që t’u shpie deri në një situatë që të zgjidhni një problem të komplikuar, i cili prek emocionet më të thella të qytetarëve këtu dhe atje”- tha ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski.
 
Kozijas, i cili gjatë gjithë kohës kur i referohej Maqedonisë thoshte: ky shtet u shpreh se Greqia dëshiron të shohë shtetin tonë të anëtarësuar në BE dhe në këtë drejtim edhe do të japin përkrahjen e tyre. 
 
Kozijas ka takuar edhe zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Fatmir Besimin. Vetëm një takim i radhës, sipas Besimit, mund t’i ndihmojë procesit të zgjidhjes së kontestit.
 
“Vetëm dialogu i vazhdueshëm dhe krijimi i një atmosfere ndërmjet bashkëbiseduesve apo dy palëve në këtë çështje është rruga e vetme që do të çojë deri në zgjidhje të vetë kontestit të emrit”- tha zëvendëskryeministri për çështje eurointegruese, Fatmir Besimi.
 
Popovski dhe Kozijas janë dakorduar që tani e tutje të takohen në nivel ministrish me qëllim të vendosjes së dialogut më të mirë politik. 
 
Nikos Kozijas është ministri i parë grek i Punëve të Jashtme i cili pas një dekade viziton Maqedoninë.
 
Gjatë qëndrimit në Shkup, shefi i Diplomacisë greke ka realizuar takim edhe me presidentin, Gjorge Ivanov, dhe kryeministrin, Nikolla Gruevski.
 
MERAL ISMAILI