Mickoski: Banka ALTA u soll nga LSDM-ja në vitin 2023
Seanca e 85-të e Komisionit për Financim dhe Buxhet...

Seanca e 85-të e Komisionit për Financim dhe Buxhet, ku ishte e parashikuar të zhvillohet debat mbikëqyrës për Bankën ALTA nuk kaloi pa kundërshtime dhe ofendime të ashpra mes përfaqësuesve të Qeverisë dhe Opozitës. Në seancën mbikëqyrëse me temë: "Arsyet për futjen e administrimit në Bankën ALTA ShA Manastir, roli dhe veprimet e Bankës Popullore dhe përgjegjësia institucionale", i pari që foli ishte kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
“Nëse e shohim raportin e seancës së 194-të të Qeverisë, të mbajtur më 24 tetor të vitit 2023, ku kryeministër ishte Dimitar Kovaçevski, në atë seancë ministri i Financave, Fatmir Besimi, i cili kërkon nga Qeveria që t’i lejojë Prokurorisë Publike të hyjnë në marrëdhënie afariste me Bankën ALTA Serbi, dhe Qeveria i jep të drejtë të hyjë në marrëdhënie të tilla, me të njëjtin pronarë Davud Macura. Pra, këtë bankë e solli LSDM-ja në vitin 2023.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Filipçe: Banka ALTA u fut në RMV gjatë kohës kur ju jeni kryeministër
Por, në këtë reagoi kryetari i LSDM-së dhe deputeti Venko Filipçe.
“Ju jeni tash Kryeministër, dhe jo Dimitar Kovaçevski, dhe Banka ALTA u fut në vendin tonë kur ju jeni Kryeministër, ndërsa ju keni realizuar kontinuitet të atyre vendimeve të Qeverisë. Davor Macura është në burg për shpërlarje të parave në shifrat e rreth 400 milionë euro.”, - theksoi Venko Filipçe nga LSDM.
“Banka ALTA Serbi ka blerë Bankën Ekonomike – Manastir” nga aksionar privat, jo nga shteti.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Sllavevski: Dokumentacioni i blerësve nuk ishte i dyshimtë
Sqarimin e tij e dha edhe guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllavevski.
“Banka ALTA Beograd ka dorëzuar kërkesë që mund të blej aksione në Bankën Ekonomike Manastir, dhe në bazë të dokumentacionit të marrë është përcaktuar identiteti, struktura e pronarëve, dhe udhëheqësi final, për të gjithë personat janë realizuar mbikëqyrje nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, ku mund të parashihet se personat në fjalë kanë realizuar transaksione të dyshimta, dhe asnjë dokument nuk na kanë thënë se janë të dyshimtë”, - deklaroi guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllavevski.
Lukarevska: Banka Evropiane konstatoi shkelje për pronarin
“Mbi gjysmë milion njerëz kishin mundësi të shohin një debat televiziv në Serbi, ku tregojnë se emri i Bankës ALTA është i Aleksandar Vuçiqit dhe Tamaras, gruas së tij të dytë. Ndërsa ju keni dhënë dritë të gjelbër për pronarë që nga Banka Evropiane ka konstatuar shkelje.”, - theksoi kryetarja e Komisionit, Sanja Lukarevska.
Azizi: BDI-ja e inkriminuar në rastin e Bankës ALTA
Adnan Azizi nga VLEN me kritika për BDI-në për mospjesëmarrje në debat, duke theksuar se kjo parti është e përfshirë në rastin e Bankës ALTA.
“BDI-ja është thellë e inkriminuar në kreditë e shpejta serbe, në lotarinë dhe në Bankën ALTA, që është një mega aferë për kapital të dyshimtë që ka operuar në Maqedoni.”, - u shpreh Adnan Azizi nga VLEN.
Në debat janë të ftuar presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova; zëvendës guvernatorja e Bankës Popullore, Arlinda Hasani Sinani; drejtoresha e Drejtorisë për Regullativë Bankare, Frosina Celeska, të cilët do të flasin në ditët në vazhdim, ndërsa thirrje kishin marrë edhe kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski; kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi; nënkryetarët e Kuvendit, Antonio Milloshovski, Vesna Bendevska, Jovan Mitrevski; koordinatorët e grupeve parlamentare dhe ekspertët e çështjeve bankare. (Fitim Kryeziu, TVM2)
