Botë

Orët kritike të Greqisë, raund i ri bisedimesh me kreditorët

24.06.2015 16:55

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, përgatitet për një raund të ri bisedimesh me kreditorët ndërkombëtarë në vazhdën e përpjekjeve për të siguruar një marrëveshje urgjente mbi borxhin e Athinës...

Deri në fund të qershorit, Greqia duhet t’i paguaj 1,6 miliard euro Fondit Monetar Ndërkombëtar, por nuk ka asnjë mundësi ta shlyej huanë nëse nuk zhbollohen fondet e dorëzanisë.

Propozimet e reja për reforma u mirëpritën nga udhëheqësit e BE-së, megjithatë pengesat nuk janë larguar që të gjitha. Apeli thuajse dramatik i Tsiprasit për shoqatat greke të biznesit nënkupton sakrifica, që do t’i lejojnë atij të vulosë një marrëveshje e t’i japë fund “ekuilibrit të tmerrit”.

Por, sipërmarrësit paralajmërojnë se planet për rritje taksash do të kenë ndikim negativ ndaj kompanive, punësimit dhe ekonomisë në tërësi. Propozimet e fundit për reforma të Qeverisë greke fokusohen te shkurtimet, siç është rasti i shpenzimeve të mbrojtjes, si dhe te rritja e taksave dhe e kontributeve për pensionet. Edhe pse ujdia me huadhënësit është e shumëdëshiruar, “ky shtim i taksave do ta pengojë shumë ekonominë”- thonë nga  Federata e Dhomave të Tregtisë greke. Në rrezik, sipas tyre, janë sidomos bizneset e vogla, një pjesë e të cilave mund të shkojnë drejt falimentimit.

Këtë rrugë e kanë marrë deri tani 600 biznese greke. Sipërmarrësit mendojnë se në vend të masave të parashikuara, ekzekutivi duhet t’i bind kreditorët se lufta kundër ekonomisë informale dhe përmirësimi i menaxhimit të sistemit të mbledhjes së taksave do të sjellin më shumë para në arkat e shtetit.