Maqedoni
Konluzionet e KE-së, Sela: e domosdoshme marrëveshja deri më 29 qershor
24.06.2015 17:41
Konkluzat që u miratuan nga Këshilli për Punë të Përgjithshëm të Bashkimit Evropian, përshkruajnë gjendjen reale të Maqedonisë...

Kështu vlerëson profesori universitar, Ylber Sela, pas publikimit të konkluzave për vendin në Këshillin e Ministrave për Punë të Jashtme. Sipas tij, në vend që të punohet për dalje nga kriza politike, Maqedonia po kthehet në një problem në rritje për BE-në.
Sipas Selës, edhe pse BE-ja nuk mendon që të ndërmerr masa serioze ndaj Maqedonisë, serioziteti i situatës kuptohet nga fakti që në vazhdimësi kërkohet nga partitë politike që të respektojnë marrëveshjen e 2 dhe 19 qershorit, si dhe në ditët në vijim të zbatohen të gjitha rekomandimet e KE-së.
“Edhe faktori ndërkombëtar, por edhe faktori i brendshëm presin datën 29, ku mendohet që të implementohet marrëveshja e 2 qershorit dhe vetë KE këtë e ka bërë të qartë dhe unë shpresoj që liderët politik, qofshin ata shqiptarë apo maqedonas, të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të bëjnë ç’është e mundur që të fillohet me procedurat për dalje nga kriza, e cila ka sjellë në një situatë shumë të jofavorshme edhe shtetin, por edhe qytetarët”- deklaroi profesori universitar, Ylber Sela.
Por, kjo marrëveshje, sipas Selës, duhet të merret në përputhshmëri me konkluzat e këshillit, në të kundërtën na pret krizë më e thellë shtetërore.
“Të gjitha këto duhet të kenë një mbarim real nga marrëveshja, e cila pritet të arrihet më 29 qershor, shpresojmë që me këtë të rivendoset besimi tek institucionet këtu në RM, që është shumë e rëndësishme, por edhe qytetarët presin nga liderët politik që ata të kryejnë punën e tyre, që qytetarët mandej të kenë besim tek shtetet. Nëse më 29 qershor nuk arrihet marrëveshje, besoj që Maqedonia mund të hyjë në një krizë shumë më të thellë, e cila mandej mund të jetë katastrofale”- tha profesori universitar, Ylber Sela.
Në konkluzionet e këshillit kërkohet edhe hetimi mbi veprimet e mundshme kriminale nga materialet e përgjuara, respektimi i parimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe prezumimit të pafajësisë.
Ndryshe, në dokument gjithashtu theksohet se hapat konkrete që do t’i ndërmerr vendi do të analizohen në një raport të detajuar në korrik, ndërkohë që çështjes së Maqedonisë BE-ja do t’i rikthehet sërish muajt e ardhshëm.
SANIJE KASAMI
