Maqedonia zbarkoi në Glasgov, futbollistët kërkojnë golin e parë
12.11.2026 12:32
Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut ka përfunduar përgatitjet në Shkup për ndeshjen ndaj Skocisë, ndërsa sot ka mbërritur në Glasgov....

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut ka përfunduar përgatitjet në Shkup për ndeshjen ndaj Skocisë, ndërsa sot ka mbërritur në Glasgov. Nesër, nga ora 20:45, futbollistët e Maqedonisë do të zbresin në fushën e stadiumit legjendar “Hampden Park”, në kuadër të xhiros së pestë të Grupit B1 në Ligën B të UEFA Nations League. Të përzgjedhurit e trajnerit Goce Sedlloski, në katër ndeshjet e zhvilluara deri më tani, përpos që nuk kanë regjistruar asnjë fitore, nuk kanë arritur të shënojnë asnjë gol. Futbollistët shpresojnë t'i japin fund serisë negative dhe të shënojnë më në fund golin e parë në këtë edicion.
“Shpresoj që do të jemi shumë më të mirë se në ndeshjet e kaluara dhe më në fund do ta shënojmë atë gol. Besojmë se mund të shënojmë dhe të fitojmë.”, deklaroi Hristijan Maleski, futbollist i Maqedonisë.
Për pritshmëritë për ndeshjet e fundit të këtij cikli ka folur edhe sulmuesi i Shkëndijës, Marko Gjorgjievski, i cili shpreson që me kontributin e tij të ndihmojë përfaqësuesen të rikthehet në nivelin e dëshiruar.
“Shpresoj që, nëse më jepet mundësia të luaj në këto ndeshje, të jap kontributin tim dhe të fillojmë të ecim në drejtimin e duhur, ashtu siç e meriton kjo përfaqësuese. Në çdo kombëtare dhe në çdo klub vjen një periudhë e caktuar krize, por mendoj se ka ardhur koha të dalim nga kjo situatë dhe shpresoj që gjithçka të shkojë ashtu siç duhet.”, deklaroi Marko Gjorgjievski, futbollist i Maqedonisë.
As nikoqirët nuk po kalojnë një periudhë të shkëlqyer sa i përket rezultateve dhe formës. Skocia, e drejtuar nga trajneri Pokuonjoli, ka vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit. Megjithatë, skuadra skoceze ka në përbërjen e saj emra të dëshmuar në futbollin anglez. Përvoja e Robertson, McGinn në mesfushë dhe Gilmour pritet të jetë një kërcënim serioz për portën e Maqedonisë. Historia e përballjeve të drejtpërdrejta tregon se këto dy përfaqësuese janë mjaft të barabarta. Në tri ndeshjet e zhvilluara deri më tani, të dyja përfaqësueset kanë regjistruar nga një fitore, ndërsa një takim është mbyllur në barazim. (Gazetar: Safet Ademi)
