Shqipëria përballet sonte me Finlandën, Ismajli: Duam vendin e parë në grup

12.11.2026 12:33

Shqipëria luan sonte një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve....

Shqipëria luan sonte një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve. Shqipëria, kundër Finlandës, kërkon fitoren për të ruajtur vendin e parë në Grupin C1, me shpresat për t’u rikthyer në Ligën B. Për këtë arsye, trajneri Maran nuk pritet të ndryshojë, por do t’i besojë të njëjtit grup që ka zhvilluar thuajse të 4 sfidat në Ligën e Kombeve. Përzgjedhësi i Shqipërisë, Rolando Maran, dhe mbrojtësi Ardian Ismajli janë shprehur optimistë në prag të përballjes me Finlandën, duke vlerësuar përgatitjet dhe përkushtimin e futbollistëve kuqezi.
 
“Jemi përgatitur jashtëzakonisht mirë. E dimë rëndësinë. E kemi obligim për vendin e parë. Jemi ekip më kualitativ se të gjithë në grupin tonë, por duhet ta dëshmojmë në fushë. Episodet e bëjnë të veten dhe me atë episod, ndeshja iku si iku. E rëndësishme që jemi në vend të parë, gjithçka varet nga ne dhe shpresojmë që ta mbarojmë ashtu siç kemi filluar.”, u shpreh Ardian Ismajli, futbollist i Shqipërisë.
 
Trajneri italian i ka në dispozicion të gjithë futbollistët e grumbulluar dhe nuk raportohet për probleme fizike në skuadër. Megjithatë, Maran pritet të bëjë disa ndryshime, duke ruajtur skemën e preferuar 3-4-2-1. Shqipëria kryeson grupin me 9 pikë, ndërsa Bjellorusia dhe Finlanda kanë nga 7 pikë. Ndeshja do të zhvillohet sonte në stadiumin “Air Albania”, nga ora 20:45. (Gazetar: Safet Ademi)