Rajon
LVV: Nevojitet iniciativë e re ligjore për Specialen
12.11.2026 14:07
Deputetët e PDK-së dhe shumicës parlamentare në Kosovë nuk kanë arritur pajtueshmëri për Specialen...

Deputetët e PDK-së dhe shumicës parlamentare në Kosovë nuk kanë arritur pajtueshmëri për amendamentimin e Ligjit për dhomat e specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, pasi është konstatuar se sipas rregullores, pas mos dekretimit nga presidentja nuk lejohet amendamentimi i ligjit të njëjtë, prandaj Kuvendi ose e rrëzon dekretin e presidentes për ta lënë në fuqi ligjin e njëjtë, ose do të ndërmerret nismë e re ligjore. Lëvizja Vetëvendosje është për një nismë të re ligjore, e cila do t’i përfshinte edhe vërejtjet e faktorit ndërkombëtar. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, vlerëson se ligji aktual është i paimplementueshëm.
“Ne konsiderojmë se një iniciativë e re ligjore, e cila do t’i merrte në konsideratë të gjitha vërejtjet, rekomandimet e faktorit ndërkombëtar, por edhe qëllimin final të cilin e ka ky ligj, implementimin e tij. Ky ligj është shndërruar në një gjë të pa implementueshme nga dita e miratimit nga Kuvendi, më 6 tetor.”, - deklaroi Vigan Qorolli nga LVV.
PDK: Të rivotohet ligji që nuk e dekretoi presidentja
Nga PDK insistojnë në rivotimin e ligjit të njejtë në Kuvend, që më pas të njëjtin ta ndryshojnë me anë të amendamenteve.
“Ne sot jemi në një situatë që duhet ta procedojmë ligjin për miratim në Kuvend, në formën siç është. Pastaj, ne do të nisim një proces të ri të amendamentimit të ligjit, bashkë me kolegë deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Pra, për ta qartësuar edhe njëherë, do të rivotohet në Kuvend ky version i ligjit që e kemi sot, në përputhje me nenin 84 të rregullores së Kuvendit.”, - theksoi Blerta Deliu Kodra nga PDK.
LDK kundër përmbysjes së vetos së presidentes
LDK-ja është kundër përmbysjes së vetos së Presidentes, thekson deputetja e kësaj partie, Vjosa Osmani, e cila njëherësh thekson se LDK-ja do ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së, por edhe dinjitetin e njerëzve të LDK-së dhe familjeve të tyre, që në të kaluarën janë përndjekur vetëm sepse kanë qenë përkrahës të Ibrahim Rugovës.
“Nëse synohet të kalohet ligji i njëjtë dhe të përmbyset vetoja e presidentes, natyrisht që ne nuk jemi për. Ne do ta mbrojmë të vërtetën historike të Kosovës, luftën e drejtë të UÇK-së, por njëkohësisht ne nuk i kërkojmë leje askujt që ta mbrojmë dinjitetin e njerëzve të LDK-së dhe familjeve të veprimtarëve të LDK-së, të cilët në të kaluarën janë vrarë, janë torturuar dhe janë etiketuar si bashkëpunëtorë, vetëm e vetëm pse i kanë qëndruar besnik presidentit tonë historik.”, - u shpreh Vjosa Osmani nga LDK.
Pas mos dekretimit nga Presidentja me kërkesë të PDK-së, të ndryshimeve në ligjin për dhomat e specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, propozim-ligji është shqyrtuar në Komisionin për Legjislacion dhe i njëjti pritet të vendoset në seancë plenare të Kuvendit.
GYLTENE SINANI
