Maqedoni

Kompania “Kiel Maqedoni” me investime të reja në Tetovë dhe Zhelinë

12.11.2026 16:02

Kompania “Kiel Maqedoni”, me dy objekte prodhuese në Tetovë dhe Zhelinë dhe rreth 190 të punësuar...

Kompania “Kiel Maqedoni”, me dy objekte prodhuese në Tetovë dhe Zhelinë dhe rreth 190 të punësuar, po zgjeron aktivitetin e saj prodhues përmes investimeve të reja dhe teknologjive moderne.
 
Këtë e ka konstatuar ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, gjatë vizitës në këtë kompani, ku ka vlerësuar kontributin e saj në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
 
Kompania, e cila ka nisur aktivitetin në vitin 2017, deri më tani ka investuar mbi 11 milionë euro në objektin e saj prodhues në Zonën Zhvillimore Teknologjike Industriale në Tetovë, duke zgjeruar kapacitetet dhe duke përfshirë procese të reja teknologjike.
 
“Me një investim prej mbi 11 milionë eurosh në objektin ekzistues në ZZhTI, kompania po zhvillon prodhimin dhe po prezanton procese të reja teknologjike. Nga prodhimi fillestar i ulëseve për autobusë dhe trena, kompania i ka zgjeruar aktivitetet edhe në prodhimin e komponentëve metalikë. Sot patëm mundësinë të shohim edhe linjën e re të automatizuar për lyerje me pluhur, një investim prej rreth 1.5 milionë eurosh. Ky është një hap veçanërisht i rëndësishëm, pasi me këtë linjë të re kompania kompleton një proces të tërë prodhimi në Maqedoninë e Veriut. Zgjerimi i prodhimit krijon mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi. 
 
Një tjetër dëshmi e zhvillimit të kompanisë është edhe fakti se produktet e saj, të prodhuara në Maqedoninë e Veriut, janë pjesë e zinxhirëve prodhues të kompanive të njohura ndërkombëtare, si “Siemens”, “Alstom” dhe “Stadler”.
 
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, theksoi se ministria që ai drejton do të vazhdojë të mbështesë kompanitë vendore dhe investitorët, me qëllim rritjen e prodhimit, zgjerimin e kapaciteteve dhe forcimin e konkurrueshmërisë së tyre në tregjet ndërkombëtare.
 
VISAR SADIKI