NBA, Detroit Pistons mund Washington Wizards pas dy vazhdimeve
Në NBA, mbrëmë u zhvilluan katër ndeshje, ndërsa më dramatikja ishte ajo në Washington...

Në NBA, mbrëmë u zhvilluan katër ndeshje, ndërsa më dramatikja ishte ajo në Washington, ku Detroit Pistons, si mysafirë, pas dy vazhdimeve mposhtën vendasit e Washington Wizards me rezultatin 144:140, falë paraqitjes së shkëlqyer të Cade Cunningham. Wizards arritën dy herë ta çonin ndeshjen në vazhdim, me pikë të shënuara në sekondat e fundit, por në fund fitorja i takoi Detroitit.
Fillimisht, Trae Young me një gjuajtje për tri pikë, në momentin e fundit të kohës së rregullt, i siguroi Washingtonit vazhdimin e parë. Më pas, AJ DiBanza, me një gjuajtje nga distanca e mesme, më pak se një sekondë para fundit, bëri që skuadrat të luanin edhe një vazhdim tjetër. Në minutën e fundit të vazhdimit të dytë, Detroiti kishte dy pikë epërsi, ndërsa gjithçka u vendos 25,3 sekonda para fundit, kur Cunningham shënoi dhe u dha mysafirëve epërsinë 142:138.
Cunningham ishte lojtari kryesor i Detroitit me 52 pikë, që përbëjnë rekordin e tij personal në karrierë. Ai regjistroi gjithashtu 11 asistime dhe pesë kërcime, pa humbur asnjë top. Rekordi i tij i mëparshëm personal ishte 46 pikë, të cilat i kishte shënuar pak më shumë se një vit më parë, po ashtu kundër Washingtonit. Sipas statistikave që regjistrohen që nga sezoni 1977/78, ai u bë lojtari i parë në historinë e NBA-së që regjistron 50 pikë, 10 asistime dhe asnjë top të humbur.
Në ekipin fitues u dallua edhe Ausar Thompson, i cili regjistroi 17 pikë, 11 kërcime dhe 11 asistime, duke realizuar tripëll-dabëllin e parë në karrierën e tij. Young shënoi 37 pikë për Washingtonin, por me përqindje jo të mirë të gjuajtjeve nga loja (8 nga 23). Anthony Davis dhe Alex Sarr shtuan nga 30 pikë secili. Detroiti tani ka bilancin 8 fitore dhe 3 humbje, ndërsa Washingtoni regjistroi humbjen e gjashtë radhazi dhe ka bilancin 4 fitore e 9 humbje.
Basketbollistët e Philadelphia 76ers fituan në fushën e tyre kundër Torontos me rezultatin 123:112. Më efikasët në ekipin fitues ishin Tyrese Maxey me 27 pikë dhe Joel Embiid me 20 pikë. Basketbollistët e Minnesotas ishin dukshëm më të mirë se Dallas në parketin e tyre, duke fituar me rezultatin 133:94. Me këtë fitore, ata arritën suksesin e pestë radhazi, i cili njëkohësisht ishte edhe fitorja më bindëse e tyre deri në këtë pjesë të sezonit. Ndërkohë, Phoenix fitoi si vendas kundër Charlotte me rezultatin 101:96, duke regjistruar fitoren e katërt në pesë ndeshjet e fundit.
