Kane vendos rekord dhe i siguron fitoren Anglisë

13.11.2026 12:35

Përfaqësuesja e Anglisë u kualifikua sonte në çerekfinalen e Ligës së Kombeve...

Përfaqësuesja e Anglisë u kualifikua sonte në çerekfinalen e Ligës së Kombeve, pasi në stadiumin “Wembley” në Londër mposhti Kroacinë me rezultatin 2:1, në ndeshjen e parafundit, të vlefshme për xhiron e pestë të Grupit A3 të Ligës së Kombeve. Anglia kaloi në epërsi me golin e Morgan Rogers në minutën e 24-t. Kroacia arriti të barazojë pas një gabimi të madh të mbrojtësit anglez Jarell Quansah, të cilin në minutën e 59-të e shfrytëzoi Petar Suçiç. Vetëm pesë minuta më vonë, Anglia kaloi sërish në epërsi, pasi kapiteni Harry Kane ishte i saktë nga pika e penalltisë. Për Kane kjo ishte ndeshja e 126-të me fanellën e përfaqësueses, një rekord i ri, me të cilin ai theu rekordin e portierit legjendar Peter Shilton, i cili para ndeshjes i dorëzoi çmimin për këtë arritje. Anglia në minutën e 86-të pati mundësinë ta thellonte epërsinë, por goli i James Garner u anulua për shkak të një pozite jashtë loje në aksionin paraprak.
 
Në të njëjtin grup, Spanja mposhti Çekinë në Pragë me rezultatin 2:0, me golat e Alex Baenës në minutën e 39-të nga pika e penalltisë dhe Marc Pubill në minutën e gjashtë të kohës shtesë të pjesës së dytë. Çekia nga minuta e 72-të luajti me një futbollist më pak, pasi me karton të kuq u ndëshkua Ladislav Krejçi. Spanja kryeson Grupin A3 me 15 pikë të plota, Anglia renditet e dyta me 12 pikë, Kroacia ndodhet në vendin e tretë me tri pikë, ndërsa Çekia është e fundit pa asnjë pikë. Në xhiron e fundit, Spanja do të presë Anglinë në një përballje të drejtpërdrejtë për vendin e parë, ndërsa Kroacia në fushën e saj do të luajë kundër Çekisë.
 
Italia në Milano mposhti Francën me rezultatin 3:1, në ndeshjen e xhiros së pestë të Grupit A1 të Ligës së Kombeve. Mysafirët kaluan në epërsi përmes Michael Olise në minutën e 10-të, por Italia në vazhdim arriti ta përmbyste rezultatin. Fillimisht, barazimin e realizoi Francesco Pio Esposito në minutën e 26-të, ndërsa Sebastiano Esposito nuk arriti të shënonte nga pika e penalltisë në minutën e 60-të. Epërsinë Italisë ia siguroi Davide Frattesi në minutën e 63-të, ndërsa Pio Esposito shënoi golin e tij të dytë në minutën e 75-të, sërish nga pika e penalltisë. Belgjika fitoi në transfertë kundër Turqisë me rezultatin 2:1.
 
Në Grupin A1, një xhiro para përfundimit, Italia dhe Franca kanë nga 10 pikë, Belgjika renditet e treta me nëntë pikë, ndërsa Turqia ndodhet në vendin e fundit, në pozitën e katërt, pa asnjë pikë.
Në xhiron e fundit, Belgjika do të presë Italinë, ndërsa Franca në fushën e saj do të luajë kundër Turqisë.