Kulturë
Teatër, “Moisiu” rikthehet në Shkup me edicionin e katërt
13.11.2026 14:12
Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit “Moisiu” rikthehet në Shkup me edicionin e tij të katërt....

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit “Moisiu” rikthehet në Shkup me edicionin e tij të katërt. Nga 16 deri më 22 nëntor, Teatri Shqiptar do të mirëpresë dhjetë shfaqje nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Presheva, me pjesëmarrjen e shumë aktorëve. Programi i festivalit u prezantua në konferencën për shtyp, ku organizatorët theksuan rëndësinë e kësaj ngjarjeje për bashkëpunimin ndërmjet teatrove shqiptare.
“Festivali “Moisiu” është një nga ngjarjet, lirisht mund të them, më të mëdha kulturore që ndodh këtë vit për neve shqiptarët. Dhe ashtu edhe duhet ta trajtojmë, duhet të jetë festë pasi që ka filluar edhe tani në nëntor gjatë festave të nëntorit.”, - deklaroi drejtori i Teatrit Shqiptar – Shkup, Ismet Ramadani.
Festivali nisi rrugëtimin në vitin 2022, pikërisht në Shkup, për të vazhduar më pas në Tiranë dhe Prishtinë. I organizuar nga tri institucionet teatrore, festivali synon të krijojë një traditë të qëndrueshme të bashkëpunimit artistik dhe shkëmbimit të përvojave. Edicioni i sivjetshëm ndërthur dramaturgjinë shqiptare me veprat e njohura botërore. Festivalin do ta hapë “Drejtësi në Nuremberg” e Teatrit Kombëtar të Tiranës, me regji të Arben Kumbaros. Në program përfshihen edhe “Hamleti”, “Duke pritur Godonë”, “Sytë e ujkut”, “Romeo dhe Zhulieta” dhe produksione të tjera. Më 22 nëntor, festivalin do ta përmbyllë shfaqja “Përtej hekurave” e Teatrit Shqiptar të Shkupit, me regji të regjisorit kosovar Naser Shatrolli. Në përfundim do të ndahen edhe çmimet për arritjet artistike.
ARDITA RAMADANI
