Maqedoni

Forumi i Gjykatave Kushtetuese Ballkanike, Gashi: Institucionet ekzistojnë për qytetarët

13.11.2026 14:49

Institucionet duhet të jenë në shërbim të qytetarëve e jo të politikës apo individëve....

Institucionet duhet të jenë në shërbim të qytetarëve e jo të politikës apo individëve. Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në Konferencën e katërt vjetore të Forumit të Gjykatave Kushtetuese Ballkanike që po mbahet në Ohër. 
 
“Qytetarët duhet të jenë të bindur se institucionet ekzistojnë për t’i mbrojtur të drejtat e tyre, e jo t’u shërbejnë çfarëdo interesash politike apo individuale, prandaj përgjegjësia jonë e përbashkët është të kontribuojmë për krijimin e kulturës institucionale, ku drejtësia do të ketë përparësi para fuqisë politike, ndërsa interesi publik para çdo interesi tjetër.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
 
Kostadinovski: Sfidë, ruajtja e pavarësisë në punë
 
Kreu i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski thotë se gjykatat kushtetuese përballen me sfidën për ruajtjen e pavarësisë në punën e tyre.
 
“Jemi dëshmitarë të dobësimit të roleve të kuvendeve, pushtete ekzekutive gjithnjë e më të fuqishme, paraqitje të erozionit demokratik dhe tendencave autoritare, të cilat edhe pse formalisht zhvillohen në kuadër të institucioneve demokratike në esencë i groposin vlerat demokratike. Njëkohësisht gjykatat kushtetuese përballen me sfidën për ta mbrojtur pavarësinë e tyre dhe nga akuzat për aktivizim gjyqësor të tepruar.”, - theksoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
 
Shefi i misionit të OSBE-së në Shkup theksoi rëndësinë që gjykatat kushtetuese të mund ta përforcojnë besimin publik dhe transparencën.
 
“Sfidat e përbashkëta hapin dy pyetje kyçe, si gjykatat kushtetuese mund ta përforcojnë besimin publik dhe transparencën dhe si e drejta kushtetuese mundet në mënyrë adekuate t’u përgjigjet të gjitha realiteteve që i sjell epoka digjitale. Teknologjia digjitale po e transformon jetën tonë, institucionet tona, qasjen te informacionet, sjelljen tonë me shtetin dhe institucionet.”, - u shpreh  shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Vall. 
 
Konferencën e katërt vjetore të Forumit të Gjykatave Kushtetuese Ballkanike që po mbahet në Ohër e përshëndeti me anë të një video-mesazhi edhe kryeministri Hristijan Mickoski, me porosinë që gjykatat kushtetuese të jenë gjithmonë roje të Kushtetutës dhe shtetësisë.
 
FITORE NAGAVCI