Qeveria është stabile, Mickoski: Në dhjetor takim liderësh

13.11.2026 17:04

Mickoski siguron se shumica parlamentare është stabile dhe përbëhet nga më shumë se 61 deputetë....

Stabiliteti i Qeverisë nuk është i rrezikuar, pavarësisht paralajmërimit të liderit të Lëvizjes “E di”, Maksim Dimitrievski, se partia do të largohet nga Qeveria nëse nuk arrihet marrëveshje për dhënien e provimit të jurisprudencës. Kryeministri Hristijan Mickoski siguron se shumica parlamentare është stabile dhe përbëhet nga më shumë se 61 deputetë. Ai konfirmoi se ka biseduar me Dimitrievskin dhe paralajmëroi se gjatë muajit dhjetor do të mbahet një takim liderësh me partnerët e koalicionit qeveritar, ku pritet të hapen edhe çështjet që lidhen me mënyrën e dhënies së provimit të jurisprudencës.
 
“Qeveria zgjidhet me shumicën prej 61 deputetësh në Kuvend. Ne kemi shumicë shumë më të madhe se 61 deputetë, kështu që Qeveria është stabile, madje më stabilja në këtë pjesë të Evropës, ndoshta edhe më gjerë. Vazhdojmë t’u ofrojmë qytetarëve atë që është e rëndësishme, siç është ky objekt dhe politikat e tjera.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse pas zgjedhjeve në Bërvenicë, VLEN-i do të marrë më pak poste funksionarësh, Mickoski tha se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga marrëveshja e arritur gjatë formimit të koalicionit qeveritar në qershor të vitit 2024.
 
“Kjo nuk është çështje matematike, por çështje e thelbit të marrëveshjes së arritur gjatë formimit të koalicionit në qershor të vitit 2024. Nuk kam ndërmend të jem viktimë e politikës ditore, sepse fjala është fjalë. Marrëveshja vlen deri në vitin 2028, kur janë zgjedhjet e rregullta parlamentare. Kemi biseduar me udhëheqësinë e VLEN-it dhe kemi vendosur që, pasi t’i definojmë pozicionet e tjera për çështjet e rëndësishme shtetërore në periudhën që vijon, në nivel pune, përmes komisioneve partiake për kuadro, t’i konkretizojmë propozimet.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Koalicioni qeveritar VMRO-DPMNE, VLEN, Lëvizja "E di" u formua në qershor të vitit 2024. 
 
FLORIJE KAMBERI