Provimi i Jurisprudencës, Mickoski: Presim mendim nga Komisioni i Venecias

13.11.2026 17:04

Provimet teorike që janë pjesë e Provimit të Jurisprudencës do të jepen në gjuhën shqipe...

Provimet teorike që janë pjesë e Provimit të Jurisprudencës do të jepen në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike, që ka të bëjë me praktikën gjyqësore, do të jepen në gjuhën që përdoret zyrtarisht në gjyqësor, përkatësisht gjuhën maqedonase. Kështu kryeministri Hristijan Mickoski e shpjegoi zgjidhjen për Provimin e Jurisprudencës, të cilën Qeveria e dërgoi për mendim në Komisionin e Venecias. Lidhur me kritikat e BDI-së, kryeministri tha se BDI-ja kishte mundësi më shumë se 20 vjet ta zgjidhë këtë çështje, por nuk e bëri. 
 
“Unë ju bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e këtyre tentimeve të BDI-së opozitare, e cila kishte më shumë se 20 vjet mundësi, disa ministra dhe dhjetëra funksionarë për ta zgjidhur këtë çështje. Kjo Qeveri gjeti mënyrë, u ul bashkë, gjeti zgjidhje të cilën e dërgoi në Komisionin e Venecias dhe tani presim mendim nga Komisioni i Venecias.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Kodi i ri Penal, Mickoski: Abuzuan me flamurin evropian
 
Kryeministri Mickoski sqaroi gjithashtu se Kodi i ri Penal dhe Ligji i Procedurës Penale janë dërguar për mendim në Komisionin Evropian, ndërsa kritikoi sërish opozitën se me ndryshimet paraprake kanë amnistuar veten dhe disa ish-funksionarë të mëparshëm të VMRO DPMNE-së. 
 
"Në thelb, ne dërguam dy ligje në Bruksel. Njëri është Kodi Penal, dhe tjetri është Ligji i Procedurës Penale. Këto janë ligje që morën një formë dhe thelb tjetër gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së. Dhe ju kujtohet, atëherë ata, duke abuzuar me flamurin evropian, i miratuan këto ligje pas një procedure të shkurtuar në Parlament. Ato kishin një qëllim të dyfishtë, së pari të amnistojnë veten nga krimet e kryera për të cilat ka dyshime të arsyeshme, ndërsa ishin në qeveri gjatë atyre shtatë viteve.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, njoftoi sot se të dy ligjet janë publikuar në ENER dhe pret kontributin dhe vlerësimet e ekspertëve dhe publikut derisa pritet mendimi nga Komisioni Evropian.
 
BENJAMIN ARIFI