Ekonomi
Propozim-buxheti për vitin 2027, Bytyqi: Shlyhen mundësitë zhvillimore
13.11.2026 15:55
Qeveria e RMV-së ka propozuar deri tek organet e Kuvendit propozim-buxhetin për vitin 2027, në lexim të dytë....

Qeveria e RMV-së ka propozuar deri tek organet e Kuvendit propozim-buxhetin për vitin 2027, në lexim të dytë. Sipas Qeverisë, Buxheti për vitin 2027 është projektuar në drejtim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik, përshpejtimit të rritjes ekonomike dhe forcimit të qëndrueshmërisë fiskale, me përcaktim të qartë për konsolidim gradual fiskal dhe menaxhim të përgjegjshëm të financave publike. Shteti planifikon të ardhura prej rreth 6.4 miliardë eurosh dhe shpenzime prej 7.2 miliardë eurosh në vitin 2027.
“Po e nisim debatin për Buxhetin e vitit 2027, ku po shohim konservim buxhetor, i cili po i shlyen mundësitë e tij zhvillimore. 440 miliard denarë, prej të cilave 399.6 miliardë janë shpenzime rrjedhëse, ndërsa 40.8 miliard denarë janë shpenzime kapitale, që nënkupton se 91 për qind e shpenzimeve janë caktuar për funksionimin e vet sistemit, ndërsa vetëm 9.3 për qind janë të parapara për investime kapitale. Shteti po harxhon shumë mjete vetëm për ta mbajt ekonominë ashtu siç është, këtë e tregon edhe mendimi i Këshillit Fiskal.”, - deklaroi Fatmir Bytyqi nga LSDM.
Stojanovski: Po shlyejmë borxhet e juaja
Por, në këto akuza kanë reaguar nga shumica parlamentare. Sipas deputetit të VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, ky buxhet nuk është vetëm numra, por është buxhet i cili parasheh anët pozitive të saja, por edhe anët negative, të cilat i ka me kthimin e borxheve, që vazhdojnë të paguhen rregullisht pas datës 1 janar, e që kryesisht janë marrë nga Qeveria e kaluar.
“Në vitin 2027, obligimet për servisim dhe refinancim të huas me rreth 124,6 miliardë denarë, apo rreth 2 miliardë euro, këtu duhet ta theksojmë euroobligacionin prej rreth 500 milionë euro, që është lëshuar në vitin 2023, që shteti nuk di për çfarë janë harxhuar. Vetëm për kamatat janë parashikuar rreth 24.9 miliardë denarë apo rreth 405 milion euro, apo 62 milionë euro më shumë sesa në vitin 2026. Pra, në vitin 2027 dhe 2028 duhet të sigurohet një likuiditet në vlerë prej rreth 5 miliard euro, pra të gjitha këto borxhe nga Qeveria e kaluar që dikush duhet ta kthejë. Deficiti buxhetor po ulet nga 4,1 në 3,5 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor, apo më mirë thënë deficit pa llogaritë kamatat po ulet për 5,1 miliardë euro.”, - theksoi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
Deficiti buxhetor parashikohet të jetë 731 milionë euro, ose 3.5 për qind e PBB-së. 663 milionë euro janë planifikuar për investime kapitale, rreth 2 miliardë euro për pensione, 954 milionë euro për kujdes shëndetësor dhe afërsisht 930 milionë euro për paga në sektorin publik.
FITIM KRYEZIU
