Shënimi i Ditës së Alfabetit, nga e hëna do të fillojë java kulturore dhe shkencore

13.11.2026 17:04

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore...

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve nga e hëna do të nisë javën kulturore për shënimin e Ditës së Alfabetit - 22 Nëntori. Java do të jetë e mbushur me aktivitete shkencore. Drejtori i institutit, Besnik Emini, thotë se fokusi do të vihet tek tekstet mësimore në gjuhën shqipe në shkollat e vendit.
 
“Më 16 nëntor do të ketë një hapje solemne. Pas hapjes solemne do të vijojë konferenca shkencore e cila këtë vit i kushtohet teksteve mësimore në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut. Konferenca do të zgjasë tre ditë me tematika të ndryshme. Janë mbi 50 studiues, profesorë universitar, studiues të ndryshëm të fushave të ndryshme që trajtojnë në mënyrë shkencore tekstet mësimore gjatë viteve që janë përdorur, por edhe tekstet mësimore aktuale në sistemin shkollor të Maqedonisë së Veriut me mësim në gjuhën shqipe. Ne kemi menduar që kontributi i institutit është më mirë të jepet në fushë në kuptimin e veprimtarisë bazë të tij ose veprimtarisë themelore që t’i kushtojmë një vëmendje të caktuar për shkak se tekstet mësimore janë një materie, e cila vazhdimisht duhet të përsoset, të zhvillohen, edhe kështu me radhë.”, - deklaroi drejtori i ITShKSh-së, Besnik Emini.
 
Studiuesit e gjuhës shqipe në debatet e tyre do t’i qasen edhe etnokulturës, komunikimit publik në gjuhën shqipe, si dhe mësimit të gjuhës amë në mërgatë. Aktivitetet do të kulmojnë më 22 nëntor në Manastir me një program kulturor dhe artistik. Përpos institutit, në mbështetje të ngjarjeve paraqiten edhe Ministria për Marrëdhënie midis Bashkësive, si dhe Komuna e Çairit.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI