135 mijë të prekur nga diabeti në vend, shoqatat kërkojnë terapi më të qasshme

14.11.2026 16:30

Në ditën botërore të diabetit...

Në ditën botërore të diabetit, shoqatat kërkuan qasje më të lehtë në terapinë bashkëkohore përmes Fondit të Sigurimit Shëndetësor, sigurimin e sensorëve dhe pompave të insulinës për të gjithë personat me diabet të tipit 1, si dhe mundësi për termine më të shpejta te specialistët, me qëllim parandalimin e komplikimeve të mundshme nga kjo sëmundje.

“Çmimet referuese ose transferimi i terapisë antidiabetike kryesisht në Fondin Shëndetësor, të jenë të qasshme tek një numër më i madh i pacientëve  me diabet dhe komplikime nga diabeti. Poashtu  glukomerat, pra shiritat, me të cilët kemi luftuar prej vitesh dhe nuk i kemi pasur vitet e fundit.” – tha Dime Velev.

Në vendin tonë, rreth 135 mijë persona janë të prekur nga diabeti, prej të cilëve 4 mijë vuajnë nga diabeti i tipit 1. Ndërkohë, vlerësohet se rreth 40 mijë persona të tjerë janë të prekur nga kjo sëmundje, por ende nuk janë diagnostikuar.

Ndër faktorët kryesorë të rrezikut renditen ushqyerja jo e shëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik.

“Zbulimi i hershëm i prediabetit dhe diabetit, trajtimi adekuat me qëllim që të parandalohen komplikimet që janë me shpenzime më të mëdha.” – u shpreh Drejtori i Klinikës së Endokrinologjisë, Irfan Ahmeti.

Parandalimi kërkon një qasje më gjithëpërfshirëse, duke përfshirë kufizimin e shitjes së ushqimit të shpejtë në shkolla dhe ofrimin e ushqimeve të shëndetshme dhe të freskëta për nxënësit.

“Pa eliminimin e alkoolit, duhanit dhe ushqimit jo të shëndetshëm nuk mund të presim zgjidhjen e problemeve. Rritja e aktivitetit fizik është e nevojshme, poashtu largimi i  pijeve me shumë sheqer, sepse kemi fëmijë obezë mbi mesataren.” – deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos i neglizhojnë simptomat si lodhja e vazhdueshme, etja e shtuar dhe shikimi i turbullt, por të kryejnë kontrolle të rregullta parandaluese.

Në nivel global, rreth 589 milionë persona jetojnë me diabet, ndërsa 252 milionë prej tyre nuk janë të vetëdijshëm se janë të prekur nga kjo sëmundje. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)