SPB Kumanovë me kontrolle të rrepta për shoferët e autobusëve
SPB Kumanovë paralajmëron kontrolle të rrepta...

SPB Kumanovë paralajmëron kontrolle të rrepta ndaj transportuesve dhe shoferëve të autobusëve. Mesazhi i institucioneve është i qartë: zero tolerancë për shkelësit e ligjit, ndërsa siguria e udhëtarëve duhet të jetë prioritet absolut.
Në një takim me përfaqësues të kompanive të transportit, policia dhe Inspektorati Shtetëror i Transportit rikujtuan detyrimet ligjore dhe standardet që duhet të përmbushin transportuesit.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në komunikacion, Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë ka organizuar një takim pune me përfaqësues të kompanive të transportit.
Shefja e Departamentit për Parandalim në SPB Kumanovë, Lile Mladenovska, paralajmëroi kontrolle të intensifikuara dhe zbatim të rreptë të ligjit ndaj të gjithë atyre që nuk respektojnë rregullat e komunikacionit. Ajo theksoi se ky takim vjen pas një periudhe më të gjatë gjatë së cilës nuk ishte organizuar një takim i tillë në këtë përbërje.
“Ata i dinë detyrimet e tyre ligjore: çdo automjet, para se të niset në rrugë, duhet të jetë teknikisht i rregullt dhe të posedojë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, si për shoferët ashtu edhe për vetë kompanitë.Takimi shërben edhe si një paralajmërim i fundit që askush të mos arsyetohet se nuk ka qenë i informuar” – tha Lile Mladenovska nga SPB Kumanovë.
Pjesë e takimit ishin edhe përfaqësues dhe inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Transportit, të cilët u rikujtuan transportuesve detyrimet ligjore, rregullat dhe standardet që duhet të respektojnë gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.
“Për më tepër, sot operatorëve të transportit do t'u ofrohen lista kontrolli, të cilat detajojnë dokumentacionin e nevojshëm. Këto lista specifikojnë dokumentet që ata duhet të zotërojnë për lloje të caktuara transporti, qoftë transport ndërkomunal, transport ndërkombëtar, apo transport ndërkomunal që kryhet në bazë të një marrëveshjeje specifike – të gjitha këto nën juridiksionin tonë të inspektimit. Në fund të fundit, qëllimi i vetëm i gjithë kësaj është të sigurohet një siguri më e lartë për pasagjerët në transportin rrugor” – u shpreh Bojan Antiq nga Inspektorati Shtetëror i Transportit.
Në fokus të institucioneve është gjendja teknike e autobusëve, respektimi i rregullave të komunikacionit dhe përgjegjësia e shoferëve gjatë transportit të udhëtarëve. Mesazhi i institucioneve është i prerë: autobusët duhet të jenë teknikisht të rregullt, shoferët duhet të respektojnë ligjin, ndërsa siguria e udhëtarëve nuk mund të vihet në rrezik. (Fatlum Aqifi, TVM2)
