Zvicra siguron ngjitjen në Ligën A, Maqedonia shënon gol pas 844 minutash!
Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll...

Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll pësoi edhe humbjen e pestë në po aq ndeshje të zhvilluara në kuadër të këtij edicioni të Ligës së Kombeve në segmentin B. Ndryshe nga ndeshjet e mëparshme, futbollistët e përzgjedhur nga trajneri Sedlloski, treguan pak më shumë guxim, por takimi në Glasgou përfundoi me fitoren minimale të skocezëve 2-1.
Skocia i siguroi tri pikët e dëshiruara falë dy golave të futbollistit të Aston Villës, Mekgini, ndërsa golin e vetëm për përfaqësuesen e vendit, e shënoi Rastoder.
Edhe pas pesë ndeshjeve të zhvilluara, Maqedonia vazhdon të jetë pa pikë, por pas 844 minutash i dha fund serisë pa gol të shënuar.
Pavarësisht humbjes, futbollistët e Sedlloskit vlerësojnë se përfaqësuesja tregoi përparim dhe cilësi, duke paralajmëruar se në ndeshjen e fundit, në Shkup, do të kërkojnë fitoren.
“Duket qartë se kemi mësuar nga ndeshjet e kaluara dhe se jemi në gjendje të bëjmë shumë më tepër. Nëse duam të luajmë futboll, kemi cilësi. Kishte shumë duele të forta, shumë vrapim dhe mendoj se ishim shumë mirë në fushë. Arritëm të shënojmë gol dhe krijuam raste. Më vjen keq që e humbëm ndeshjen. Ky takim duhet të jetë motivim për të ardhmen dhe të na tregojë se jemi të gatshëm si për lojë, ashtu edhe për duele. Në ndeshjen e fundit nuk duhet të kemi frikë. Duhet ta luajmë futbollin tonë dhe t'i fitojmë tri pikët në shtëpi.” – u shpreh Ezgjan Alioski.
“Në 10 minutat e para dolëm të organizuar dhe kompaktë, me synimin për ta fituar topin e dytë dhe për të sulmuar hapësirat. Në pjesën e dytë erdhi goli që e kërkonim prej kohësh. Situata e penalltisë mund të gjykohej në të dyja mënyrat. Unë thjesht e kapa topin dhe këmbën e kisha të ulur, ndërsa ai më goditi mua. Kjo është, duhet të punojmë dhe të përgatitemi, sepse kemi edhe një ndeshje. Duhet t'i tregojmë publikut tonë se mund të fitojmë” – deklaroi Stole Dimitrievski.
Kjo ishte humbja e pestë e Maqedonisë në po aq ndeshje të zhvilluara në Ligën e Kombeve, duke e mbajtur vendin e fundit të grupit.
Zvicra kryeson me 13 pikë dhe ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën A në edicionin e ardhshëm. Sllovenia ka 8 pikë, ndërsa Skocia 7 dhe të dyja përfaqësueset shpresojnë për një vend në “plej-off”.
Ndeshjen e fundit Maqedonia do ta zhvillojë të hënën, kur në Shkup do të jetë nikoqire e përfaqësueses së Sllovenisë.
