Fond rekord shpërblyes për turneun e Vitit të Ri „Katër kërcimoret“

14.11.2026 19:17

Edicioni jubilar i 75-të i turneut tradicional të Vitit të Ri...

Edicioni jubilar i 75-të i turneut tradicional të Vitit të Ri në kërcime me ski „Katër kërcimoret“ do të ketë një kalendar të ngjeshur garash dhe fond rekord shpërblyes, prej afro 700 mijë eurosh, njoftuan organizatorët.

“Me padurim presim një ngjarje të paharrueshme, e cila me përfshirjen e garave për femra shënon edhe hyrjen në një epokë të re”, tha presidenti i turneut, Manfred Shicenhofer.

Së bashku me drejtorin e garave të Federatës Ndërkombëtare të Skive, Sandro Pertile, përfaqësuesit e katër komiteteve organizative nga qytetet gjermane Oberstdorf dhe Garmish-Partenkirhen, si dhe ato austriake Insbruk dhe Bishofshofen, informuan përfaqësueset kombëtare për përgatitjet aktuale dhe kalendarin e garave.

Për herë të parë në historinë e kërcimeve me ski, edhe garueset më të mira në botë do të jenë pjesë e turneut „Katër kërcimoret“.

Garat për femra do të zhvillohen më 28 dhjetor në Oberstdorf, më 31 dhjetor në Garmish-Partenkirhen, më 2 janar në Insbruk dhe më 5 janar në Bishofshofen. Ndërsa në konkurrencën e meshkujve, garat do të zhvillohen më 29 dhjetor në Oberstdorf, më 1 janar në Garmish-Partenkirhen, më 3 janar në Insbruk dhe më 6 janar në Bishofshofen.

Duke filluar nga ky dimër, në të katër kërcimoret janë instaluar reflektorë për ndriçimin e garave.

“Sistemi i ri i ndriçimit është instaluar në Insbruk që nga mesi i shtatorit, kështu që për herë të parë në historinë e këtij turneu do të mund ta organizojmë garën nën reflektorë. Kjo na jep shumë më tepër fleksibilitet sesa kemi pasur në të kaluarën”, deklaroi Max Oberggruber, president i komitetit organizativ në Insbruk.

Fondi shpërblyes për edicionin e 75-të të turneut „Katër kërcimoret“ ka arritur një shumë rekord prej gjithsej 697.200 eurosh.