TOP 100 kompanitë në vitin 2025, 1.95 miliardë euro të hyra dhe 125.7 milionë euro fitim

15.11.2026 13:04

Të dhënat e Top 100 për vitin 2025...

Të dhënat e Top 100 për vitin 2025 tregojnë se 100 kompanitë kryesore kanë realizuar 1.95 miliardë euro të hyra dhe 125.7 milionë euro fitim neto, ndersa kanë realizuar eksporte në vlerë prej 225.2 milionë eurosh dhe investime prej 153.8 milionë eurosh.

Kryetari i OEMVP-së, Sami Morina, në prononcimin e tij për TVM-2, vlerëson se kompanitë e përfshira në Top 100 kanë shënuar rritje të konsiderueshme ndër vite.

Ai thekson se krahasuar me vitin 2010, në vitin 2026 numri i tyre është rritur dhjetëfish, duke e cilësuar këtë si dëshmi të zhvillimit të sektorit të biznesit.

“Është gjenerata e parë ajo që ka marrë guximin të investojë, të kërkojë mënyra për të pasur sukses dhe të shfrytëzojë mundësitë e ofruara për ta zhvilluar biznesin dhe për ta ngritur atë në një nivel tjetër. Sot, këto kompani kanë potencialin të shëndrrrohen në eksportues të mëdhenj. Megjithatë, mendoj se duhet të investojmë edhe më shumë në gjeneratën e re, në gjeneratën e dytë të këtyre kompanive, në mënyrë që të sigurojmë vazhdimësinë, profesionalizimin dhe rritjen e tyre.” – tha Kryetari i OEMVP-së, Sami Morina.

Profesori universitar Veland Ramadani vlerëson se zhvillimi ekonomik është i lidhur ngushtë me atë politik, ndërsa thekson nevojën për bashkëpunim ndërmjet qeverisë, bizneseve dhe universiteteve.

“Të tria këto elemente duhet të kontribuojnë që Maqedoninë e Veriut ta shohim me më shumë perspektivë, jo vetëm nga aspekti politik, por edhe në drejtim të zhvillimit ekonomik. Qëllimi duhet të jetë krijimi i një standardi më të mirë dhe më të qëndrueshëm jetese për qytetarët e vendit, si dhe forcimi i ekonomisë në përgjithësi.” – u shpreh Profesori universitar, Veland Ramadani.

Afaristi Menderes Kuçi vlerëson se bizneset vendore po përballen me sfida të shumta, si pasojë e konkurrencës ndërkombëtare dhe problemeve strukturore brenda vendit.

“Ka shumë gjëra që kompanitë mund t’i bëjnë vetë, por ka edhe përgjegjësi dhe punë që nuk mund t’i kryejnë pa mbështetjen e shtetit. Kompanitë vazhdimisht kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Aty ku duhet të fokusohet më së shumti shteti është adresimi i kritikave dhe rekomandimeve të Bashkimit Evropian, të cilat prej vitesh përsëriten në raportet e tij dhe kërkojnë ndërhyrje konkrete” – theksoi afaristi, Menderes Kuçi.

Megjithëse në një mjedis të karakterizuar nga sfida dhe pasiguri ekonomike, rritja e investimeve reflekton gatishmërinë e Top 100 kompanive për të avancuar kapacitetet e tyre operuese, për të krijuar mundësi të reja zhvillimi duke forcuar potencialin e tyre zhvillimor dhe konkurrueshmërinë në treg. (Gazmend Kurtishi, TVM2)