Danimarka e shkatërron Portugalinë
Përfaqësuesja e Danimarkës shënoi një fitore të madhe në Braga...

Përfaqësuesja e Danimarkës shënoi një fitore të madhe në Braga, duke e mposhtur Portugalinë me rezultat bindës 4-1, në ndeshjen e xhiros së pestë të Grupit 4 në Ligën A të Ligës së Kombeve.
Portugalia edhe para kësaj ndeshjeje e kishte siguruar kualifikimin në çerekfinale, prandaj kjo humbje nuk pati pasoja në objektivin e saj kryesor.
Në anën tjetër, Danimarka u shkëput sërish me tri pikë nga Norvegjia, që renditet në pozitën e tretë. Përfundimisht, emri i përfaqësueses së dytë që do të sigurojë një vend në çerekfinale do të përcaktohet më 17 nëntor, kur Danimarka do të përballet me Norvegjinë.
Portugalia deri në këtë ndeshje kishte regjistruar katër fitore në katër takime, por danezët i dhanë fund serisë së saj pozitive. Në fund të pjesës së parë, Danimarka fitoi një penallti, të cilën Hojbjerg e shndërroi në gol për epërsinë 1-0. Menjëherë në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 50-të, Hojlund me një goditje të fuqishme nga afërsia realizoi për 2-0.
Sulmuesi danez nuk u ndal me kaq, pasi në minutën e 57-të shënoi edhe golin e dytë personal për rezultatin 3-0. Në minutën e 75-të, Andersen me një goditje të bukur me kokë realizoi për 4-0, ndërsa Bernardo Silva në kohën shtesë shënoi golin e vetëm për Portugalinë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-1.
