Austria dhe Suedia sigurojnë rikthimin në Ligën A

15.11.2026 18:55

Përfaqësueset e Austrisë dhe Suedisë....

Përfaqësueset e Austrisë dhe Suedisë siguruan këtë të shtunë rikthimin në elitën e Ligës A, pas fitoreve në terrenin vendas ndaj Irlandës, përkatësisht Bosnjë-Hercegovinës.

Në Solna, Suedia triumfoi ndaj Bosnjë-Hercegovinës me rezultat 3-2, në kuadër të Grupit 4.

Suedezët krijuan epërsi të konsiderueshme që në minutat e para të ndeshjes, duke shënuar dy gola brenda 11 minutave të para. Fillimisht Svensson realizoi me kokë, ndërsa në minutën e 11-të Gyökeres ishte i saktë nga pika e bardhë për 2-0.

Suedia shënoi edhe golin e tretë në minutën e 23-të përmes Isakut, por realizimi u anulua për shkak të pozitës jashtë loje. Në fund të pjesës së parë, Suedia fitoi edhe një penallti tjetër, të cilën Gyökeres e shndërroi në gol për rezultatin 3-0.

Megjithatë, Bosnjë-Hercegovina nuk u dorëzua dhe në pjesën e dytë nisi rikthimin në lojë. Gigoviq në minutën e 48-të ngushtoi rezultatin në 3-1, ndërsa Kolashinac në minutën e 63-të shënoi me kokë për 3-2.

Në minutat e fundit, Suedia u vu nën presion, por arriti ta ruajë epërsinë minimale dhe me këtë fitore siguroi rikthimin në Ligën A. Një xhiro para fundit, suedezët kanë pesë pikë më shumë se Bosnjë-Hercegovina.

Edhe Austria siguroi promovimin në Ligën A, pasi në Linz e mposhti Irlandën me rezultat 1-0. Golin vendimtar e realizoi Kalajxhiq në minutën e 78-të. Austria tashmë ka pesë pikë më shumë se Kosova dhe gjashtë më shumë se Irlanda.

Kosova dhe Irlanda do të luftojnë për pozitën e dytë në grup. Aktualisht, Kosova ka gjashtë pikë dhe renditet e dyta, ndërsa Irlanda ka një pikë më pak në pozitën e tretë. Në Grupin 2 të Ligës B, për një vend në Ligën A do të luftojnë Irlanda e Veriut dhe Hungaria. Një xhiro para përfundimit, irlandezët e veriut kanë një pikë më shumë. Këtë të shtunë, Irlanda e Veriut e mposhti Ukrainën me rezultat 1-0, falë golit të Devlinit në minutën e 68-të.

Një statistikë interesante është se irlandezët e veriut nuk kanë pranuar asnjë gol në pesë ndeshjet e zhvilluara deri më tani.

Në xhiron e fundit, më 17 nëntor, Irlanda e Veriut do të luajë në transfertë ndaj Hungarisë, ku edhe një barazim do t'i mjaftojë për të siguruar promovimin në Ligën A.