Ekonomi
Ankandi i parë për shitjen e Bankës ALTA më 30 nëntor, çmimi fillestar 3.777 denarë për aksion
16.11.2026 09:57
Banka Popullore ka shpallur procedurën për shitjen e 95,336 për qind të aksioneve të Bankës ALTA SHA Manastir...

Banka Popullore ka shpallur procedurën për shitjen e 95,336 për qind të aksioneve të Bankës ALTA SHA Manastir, me qëllim sigurimin e një pronari të ri dhe krijimin e kushteve për vazhdimin e veprimtarisë së saj. Ankandi i parë në bursë është caktuar për më 30 nëntor, ndërsa investitorët e interesuar duhet të dorëzojnë kërkesë për pëlqim paraprak më së voni deri më 19 nëntor.
Objekt i shitjes janë 372.742 aksione të zakonshme në pronësi të Bankës ALTA SHA Beograd – në falimentim. Shitja do të realizohet përmes Bursës së Maqedonisë për Letra me Vlerë, sipas modelit “gjithçka ose asgjë”, përkatësisht do të shitet e gjithë paketa e aksioneve.
Çmimi fillestar është përcaktuar në 3.777 denarë për aksion, në bazë të çmimit aktual në bursë.
Nëse aksionet nuk shiten në ankandin e parë, ankandet e radhës do të mbahen më 1, 2, 3, 4 dhe 7 dhjetor. Në secilin ankand pasues, çmimi fillestar do të ulet për 10 për qind krahasuar me ankandin paraprak.
Investitorët e interesuar duhet që deri më 19 nëntor të dorëzojnë kërkesë në Bankën Popullore për marrjen e pëlqimit paraprak për fitimin e pjesëmarrjes së kualifikuar në Bankë, si dhe një deklaratë me shkrim se do t'i sigurojnë mjetet e nevojshme për blerjen e aksioneve.
Nga Banka Popullore theksojnë se procedura synon sigurimin e një pronari të ri, krijimin e kushteve për vazhdimin e funksionimit të qëndrueshëm të Bankës ALTA dhe mbrojtjen e interesave të kursimtarëve dhe klientëve të tjerë.
