KHF Çair vazhdon me sukses aventurën evropiane!
16.11.2026 13:39
Skuadra e hendbollit për femra, WHC Çair-i nga Shkupi, ka regjistruar një tjetër fitore të rëndësishme në arenën evropiane...

Skuadra e hendbollit për femra, WHC Çair-i nga Shkupi, ka regjistruar një tjetër fitore të rëndësishme në arenën evropiane, duke mposhtur skuadrën azere “Kür” me rezultat 32:21, në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë të EHF European Cup. Takimi u zhvillua dje, në Mingachevir të Azerbajxhanit. Me këtë rezultat, skuadra shkupjane arsyetoi epitetin e favoritit ndaj kundërshtarit azer dhe vazhdon rrugëtimin evropian në mesin e 16 skuadrave më të mira në EHF European Cup.
Po ashtu, edhe në ndeshjen e parë, të zhvilluar dy ditë më herët po në Mingachevir, WHC Çair kishte fituar me rezultat 27:24. Gjashtë hendbolliste të Çairit shënuan nga 4 gola, ndërsa gardianet Kojoviç dhe Kirova patën nga 5 pritje. Me këto dy fitore në Azerbajxhan dhe kualifikimin në 1/8 e finales, skuadra nga kryeqendra e përsëriti suksesin e tyre historik të shënuar në sezonin 2024/25, kur po ashtu luajtën në “Top 16”. Kundërshtarin e radhës hendbollistet e Çairit do ta mësojnë të martën, kur do të hidhet shorti për 1/8 e finales.
