Rasti i Sarës në Ohër, Prokuroria: Të hënën pritet kualifikimi juridik i veprës
16.11.2026 18:24
Prokuroria Themelore Publike në Ohër po ndërmerr veprime intensive për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit...

Prokuroria Themelore Publike në Ohër po ndërmerr veprime intensive për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit të rëndë të dhunës ndaj Sarës, e cila u dhunua nga i dashuri i saj. Kështu bëri të ditur kryeprokurori Nenad Savevski, duke theksuar se është në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e Prokurorisë në Ohër dhe se po i ndjek nga afër zhvillimet lidhur me rastin. Sipas tij, prokurori kompetent është në kontakt me viktimën, ndërsa deklarata e saj pritet të ketë rëndësi të veçantë për sigurimin e provave. Ai paralajmëroi se deri gjatë ditës së hënë të kompletohet pasqyra e plotë e gjendjes faktike nga prokurori kompetent, pas së cilës do të bëhet i ditur edhe kualifikimi juridik i veprës dhe vendimi përkatës i Prokurorisë.
"Jam informuar nga një prokuror publik kompetent se ai është në kontakt me viktimën, përkatësisht palën e dëmtuar në këtë ngjarje penalo-juridike. Kjo deklaratë është shumë e rëndësishme për ne dhe prej saj do të dalin shumë prova me vlerë të madhe provuese. Gjatë ditës, duhet të arrijmë në një situatë të përshtatshme faktike, përkatësisht gjendjen e çështjeve nga perspektiva e prokurorit publik, pas së cilës do të kemi një njoftim zyrtar, si për kualifikimin ligjor ashtu edhe për vendimin përkatës të prokurorit publik.", - deklaroi kryeprokurori, Nenad Savevski.
I pyetur për kualifikimin juridik të veprës, përkatësisht pse rasti është cilësuar si lëndim i rëndë trupor në kuadër të dhunës në familje, ndonëse rrethanat e bëra publike ngrenë dyshime edhe për tentativë vrasjeje, Saveski tha se do të ishte spekulim të flitej për kualifikimin juridik para përfundimit të veprimeve hetimore. Pyetjet lidhen edhe me faktin se vajza dyshohet se është rrëmbyer, është rrahur në veturë dhe ka humbur vetëdijen, ndërsa për të dyshuarin nuk është kërkuar masa e paraburgimit, por vetëm masa e kujdesit. Krahas hetimit të ngjarjes kryesore, Savevski tha se po punohet edhe për zbardhjen e veprimeve të ndërmarra nga babai i të së dëmtuarës pasi që edhe ai kishte adresuar kërcënime ndaj dhunuesit. Ndërkaq, lidhur me babanë e të dyshuarit për dhunën, ai tha se paralelisht po shqyrtohen të gjitha rrethanat e rastit dhe se gjatë ditës pritet të merret vendimi i Prokurorisë Publike.
Rasti u denoncua nga nëna e Sarës, e cila e gjeti të bijën të alivanosur në rrugët e Ohrit, pas dhunës së ushtruar ndaj saj. Sipas dëshmisë së nënës, 31-vjeçari dyshohet se, duke menduar se vajza kishte ndërruar jetë, kishte kërkuar mënyrë për t'u larguar nga trupi i saj. Sara vazhdon të trajtohet në spital, ndërsa pretendimet e nënës për rrethanat e ngjarjes dhe përpjekjet e mundshme për të mbuluar rastin kanë nxitur reagime dhe shqetësim të madh në opinion.
REXHEP QAMILI
