Kontratat në vendime të përhershme, ligji hyn në procedurë më 1 dhjetor

16.11.2026 18:22

Ligji për transformimin e kontratave në vendime...

Ligji për transformimin e kontratave në vendime të përhershme pune do të hyjë në procedurë parlamentare më 1 dhjetor, njoftoi sot kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë një takimi me gazetarët.
 
Rreth 6 mijë punonjës me kontrata të përkohshme pritet të përfitojnë nga mundësia e transformimit të marrëdhënies së tyre të punës në kontrata të përhershme.
 
Sipas përmbajtjes së propozim-ligjit, transformimi do të realizohet në dy faza. Për deri në 50 për qind të personave të përfshirë, punësimi i përhershëm parashihet të bëhet në fazën e parë, ndërsa për pjesën tjetër procesi duhet të përfundojë më së voni deri më 31 dhjetor 2027.
 
Ligji parasheh që institucionet të kenë afat prej 90 ditësh nga hyrja e tij në fuqi për të lidhur kontratat e reja ose për të nxjerrë vendimet për punësim. Megjithatë, transformimi do të kushtëzohet nga plotësimi i kritereve për vendin përkatës të punës dhe sigurimi i pëlqimit financiar nga Ministria e Financave.
 
Masa parashihet të përfshijë një pjesë të institucioneve shtetërore dhe lokale, ndërmarrjet publike, institucionet shëndetësore, kulturore dhe të mbrojtjes sociale. Disa kategori, përfshirë institucionet arsimore, ushtrinë dhe institucionet e sigurisë, nuk përfshihen në këtë zgjidhje ligjore.
 
Në takim, Gashi foli edhe për kërkesën e studentëve që të kenë qasje në restorantin e Kuvendit, ku deputetët shërbehen me çmime jashtëzakonisht të lira. Kryetari i Kuvendit tha se do t’i mirëpresë me kënaqësi edhe studentët. 
 
BENJAMIN ARIFI