Një vit pa fitore, Maqedonia mundet nga Sllovenia edhe në Shkup
17.11.2026 13:58
Maqedonia e mbylli paraqitjen në Ligën e Kombeve me humbje 0-3 ndaj Sllovenisë...

Maqedonia e mbylli paraqitjen në Ligën e Kombeve me humbje 0-3 ndaj Sllovenisë, duke regjistruar kështu epilogun më të keq të mundshëm – gjashtë humbje në gjashtë ndeshje. Në Arenën “Todor Proeski”, mysafirët e konfirmuan fitoren me një gol në pjesën e parë dhe dy të tjerë në pjesën e dytë. Daniel Sturm shënoi në minutën e 29-të, David Zec dyfishoi epërsinë në minutën e 67-të dhe ky ishte goli i tij i parë në karrierë, ndërsa Sturm me golin e tij të dytë në minutën e 90-të vendosi rezultatin përfundimtar.
Sllovenia, si e dyta në grupin B1, do të luajë në balotazh për një vend në Ligën A. Nga ana tjetër, Maqedonia e mbylli me humbje vitin më të keq në historinë e përfaqësueses së futbollit, pasi për herë të parë nuk arriti të regjistrojë asnjë fitore. Maqedonia fitoren e fundit e shënoi ndaj Lihtenshtajnit më 7 shtator të vitit të kaluar, me rezultat 5-0. Që nga ajo ndeshje kanë kaluar më shumë se 14 muaj dhe përfaqësuesja e vendit nuk ka arritur të mposhtë asnjë kundërshtar. Në ndeshjet e zhvilluara gjatë kësaj periudhe, Maqedonia ka regjistruar pesë barazime dhe nëntë humbje, me një gol-diferencë katastrofale prej 3:31. Bilanci nën drejtimin e trajnerit Sedlloski është edhe më dëshpërues. Në dhjetë ndeshje, Maqedonia ka pësuar tetë humbje dhe ka regjistruar vetëm dy barazime, me gol-diferencë 1:20.
Në ndeshjen e mbrëmshme debutoi Gjorgjioski, duke u bërë futbollisti i 27-të që aktivizohet në gjashtë ndeshjet e Ligës së Kombeve. Sipas procesverbalit zyrtar, në tribunat e Arenës Kombëtare në Shkup ishin të pranishëm vetëm 1.875 shikues, duke vendosur një rekord negativ në historinë e përfaqësueses së futbollit të Maqedonisë. Një tjetër statistikë interesante është se për herë të parë, në një ndeshje të përfaqësueses, në të njëjtën kohë gjatë pjesës së dytë luajtën tre futbollistë nga kampionati vendor. Si skuadra e fundit në grup, Maqedonia nuk arriti të fitojë asnjë pikë dhe shënoi vetëm një gol, ndërsa pësoi 15. Tashmë, përfaqësuesen e Maqedonisë e pret balotazhi për mbijetesë në Ligën B, ku do të përballet me njërën nga përfaqësueset e Moldavisë, Ishujve Faroe, Bjellorusisë ose Estonisë. Shorti do të hidhet të premten, në orën 12:00.
