Irlandë-Kosovë, humbja mund të sjellë katastrofën për të dyja skuadrat

17.11.2026 14:06

Irlanda dhe Kosova luajnë ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, në një përballje me rëndësi të veçantë për të dyja përfaqësueset.

Irlanda dhe Kosova luajnë ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, në një përballje me rëndësi të veçantë për të dyja përfaqësueset. Në Grupin B3, të dyja skuadrat kanë ende mundësi të përfundojnë në vendin e dytë, të tretë ose të katërt, çka do të përcaktojë nëse do të luajnë në fazën e “play-off”-it për ngjitje, do të qëndrojnë në Ligën B apo do të rrezikojnë rënien nga kategoria.
 
Kosova synon të sigurojë një tjetër ngjitje në Ligën A, por barazimi pa gola ndaj Izraelit në ndeshjen e fundit e ka komplikuar situatën. Dardanët kanë pësuar vetëm një humbje në pesë takimet e këtij edicioni dhe kanë një pikë më shumë se Irlanda. Përfaqësueses së Franco Fodës i mjafton një barazim në Dublin për të garantuar vendin e dytë. Megjithatë, një humbje mund ta zbresë deri në vendin e fundit, në varësi të rezultateve të tjera.
 
Nga ana tjetër, Irlanda vjen pas humbjes 1-0 në transfertën ndaj Austrisë, duke ndërprerë një seri prej tri ndeshjesh pa humbje në këtë edicion (një fitore dhe dy barazime). Skuadra e Heimir Hallgrímsson renditet e treta dhe ka nevojë për fitore ndaj Kosovës për ta kaluar në klasifikim dhe për të siguruar vendin e dytë.
 
Një barazim do t’i mjaftonte për të shmangur ndeshjet e “play-off”-it për mbijetesë, pavarësisht rezultateve të tjera. Irlanda ka një ecuri pozitive në shtëpi, me dhjetë ndeshje radhazi pa humbje, por në këtë edicion të Nations League ka barazuar të dyja ndeshjet e luajtura në fushën e saj.
 
Ndeshja e parë mes tyre, e zhvilluar në shtator, përfundoi me fitoren 1-0 të Kosovës dhe ishte përballja e parë historike mes dy përfaqësueseve. Në aspektin individual, Irlanda mbështetet te forma e mirë e Jack Moylan, i cili ka regjistruar 10 gola dhe katër asistime në 13 paraqitjet e fundit për klubin dhe kombëtaren. Për Kosovën, portieri Amir Saipi ka regjistruar tri ndeshje pa pësuar gol në pesë paraqitjet e fundit.