Maqedoni

Festat e nëntorit, akademi shkencore për tekstet shkollore

17.11.2026 14:16

Studiuesit theksuan rëndësinë e rishikimit të përmbajtjeve mësimore, me qëllim që historia të jetë më e kuptueshme dhe më tërheqëse për nxënësit....

Nevoja për përmirësimin e teksteve shkollore të historisë dhe përshtatjen e tyre me kërkesat bashkëkohore të arsimit ishte në fokus të diskutimeve në kuadër të manifestimit “Ditët e Alfabetit”. Studiuesit theksuan rëndësinë e rishikimit të përmbajtjeve mësimore, me qëllim që historia të jetë më e kuptueshme dhe më tërheqëse për nxënësit. Rëndësinë e mësimit të historisë dhe përcjelljes së trashëgimisë kulturore te brezat e rinj e theksoi edhe ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani. Sipas tij, tekstet shkollore nuk duhet të kufizohen vetëm në transmetimin e njohurive historike, por duhet të nxisin edhe mendimin kritik dhe kërkimin shkencor te nxënësit.
 
“Sot kjo trashëgimi na ngarkon me përgjegjësi që të rinjve t’ua përcjellim historinë me saktësi dhe në mënyrë të kuptueshme. Tekstet shkollore luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Ato u formojnë njohuri nxënësve për të kaluarën dhe duhet t’i nxisim  që të pyesin, hulumtojnë dhe të mendojnë në mënyrë kritike. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e konferencave të tilla shkencore.”, - deklaroi ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani.
 
Për sfidat historike të arsimit shqip foli edhe historiani Nebi Dervishi, i cili kujtoi se edhe pas vendosjes së pluralizmit politik në vitet '90, shkollat shqipe në Maqedoni vazhduan të përdorin programe dhe tekste të trashëguara nga sistemi komunist, ku historia kombëtare shqiptare ishte e përfaqësuar në masë shumë të vogël.
 
“Edhe pas vendosjes së sistemit pluralist, pra në periudhën e tranzicionit pas vitit 1990, në Maqedoni shkollat tona të gjuhës shqipe vazhduan të punojnë me programe dhe tekste shkollore për lëndën e historisë, të cilat ishin trashëguar nga sistemi komunist, të zhveshura gati nga historia kombëtare shqiptare.”, - theksoi historiani, Nebi Dervishi.
 
Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Besnik Emini, tha se synimi nuk është vetëm konstatimi i gjendjes aktuale, por edhe gjetja e zgjidhjeve konkrete për përmirësimin e teksteve.
 
“Qëllimi ynë është vetëm konstatimi i gjendjes së teksteve, por edhe reflektimi mbi to dhe kërkimi i rrugëve për t’i bërë më të përshtatshme, më tërheqëse dhe më të komunikueshme shkollat dhe nxënësit që mësojnë nga këto tekste. Është koha të mendojmë seriozisht për shkollën, për rrugën tonë të vetme të zhvillimit. Uroj që ky kontribut i ynë akademik të jetë një ndihmesë në këtë pikëpamje.”, - u shpreh drejtori i ITShKSh-së, Besnik Emini.
 
Konferenca shkencore ndërkombëtare “Gjendja e teksteve shkollore në RMV” po zhvillohet në kuadër të manifestimit “Ditët e Alfabetit 2026”. Në ditën e dytë, diskutimet u përqendruan te mësimi i historisë përmes teksteve shkollore, përmbajtja e tyre dhe përfaqësimi i historisë së shqiptarëve. Konferenca, e cila ka nisur më 16 nëntor, do të përmbyllet më 18 nëntor. 
 
BELINDA KOKA ADEMI