ASK dhe BSP: Rrjeti iranian në RMV planifikonte vrasje në Greqi

17.11.2026 17:47

Strukturat kriminale nga Maqedonia, nën udhëzimet e drejtpërdrejta të një shtetasi iranian të lidhur me rrjetet...

Strukturat kriminale nga Maqedonia, nën udhëzimet e drejtpërdrejta të një shtetasi iranian të lidhur me rrjetet e inteligjencës iraniane, ndërmorën aktivitete përgatitore dhe logjistike për të kryer një akt terrorist, përkatësisht një vrasje të një personi në Greqi. Kjo u njoftua nga drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Bojan Hristovski, duke zbuluar detaje të operacionit që zgjati nëntë deri në dhjetë muaj. Sipas Hristovskit, rrjeti ka qenë në koordinim me shtetasin iranin Edris Jahangiri Mavaneh.
 
"Bëhet fjalë për një rrjet iranian të involvuar në përgatitjen dhe realizimin e sulmeve terroriste. ASK-ja ndërmori aktivitete operative-teknike dhe analitike për të zbuluar një rrjet në Maqedoni të lidhur me shtetasin iranian Edris Jahangiri Mavaneh, dhe lidhja e tij me bosin iranian të drogës, Naji Sharifi Zintaski.  Lidhur me rrjetin maqedonas, po flasim për individë të vendosur në strukturat kriminale në vend të cilët, nën udhëzimet e drejtpërdrejta të shtetasit iranian, ndërmerrnin aktivitete përgatitore logjistike për të kryer një akt terrorist, një vrasje të një personi të përcaktuar më parë, një objektiv i vendosur në Greqi.", - deklaroi drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Bojan Hristovski.
 
Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, informoi se në kuadër të rastit, katër personave u është shqiptuar paraburgimi, një person është në arrest shtëpiak, ndërsa i gjashti është ende i padisponueshëm për agjencitë e zbatimit të ligjit.
 
“Nga fillimi i vitit kemi marrë informacione dhe pas aktiviteteve të koordinuara operative dhe hetimore të ndërmarra, operacioni u krye nga MPB-ja dhe Njësia Speciale Antiterroriste "Tigër". Informacioni kishte të bënte me gjashtë persona, shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të moshës 29 deri në 73 vjeç, nga Shkupi dhe Kumanova. Bazuar në urdhrat e një gjyqtari paraprak, u kryen kontrolle në katër lokacione, gjatë të cilave katër individë u privuan nga liria. Përveç kësaj, një person tjetër u privua nga liria në Republikën e Greqisë, i cili iu dorëzua autoriteteve kompetente në vendin tonë. Kërkimi është duke vazhduar për personin e gjashtë, i cili dihet se ndodhet jashtë vendit.”, - theksoi drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.
 
Gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan telefona celularë, laptopë, kompjuterë personalë, pajisje memorieje USB, fletore me kontakte, një skicë me vendndodhje të shënuar, si dhe armë zjarri dhe municione, disa prej të cilave ishin pa leje përkatëse. Sendet e sekuestruara do t'i nënshtrohen analizave të mëtejshme dhe ekspertizës.
 
FITIM KRYEZIU