Forumi mbi lirinë e mediave, Siljanovska: Liria e medias, thelbësore për demokracinë
Liria e medias, pavarësia editoriale...

Liria e medias, pavarësia editoriale, ndikimi i inteligjencës artificiale dhe lufta kundër dezinformimit ishin disa nga temat kryesore që u diskutuan në kuadër të Forumit të 20-të të Mediave të Evropës Juglindore, të mbajtur në Shkup.
Në fokus ishte edhe roli i komunikimit dhe mediave në forcimin e imazhit, qëndrueshmërisë dhe sigurisë së Evropës, si dhe mbrojtja e gazetarëve në kohë konfliktesh dhe luftërash.
Liria e mediave, pavarësia e gazetarëve dhe besimi në informacion janë thelbësore për demokracinë, deklaroi me këtë rast presidentja Gordana Siljanovska Davkova.
“Pa media të lira dhe të përgjegjshme nuk mund të ketë një popull të mirëinformuar, ndërsa pa një popull të mirëinformuar, demokracia rrezikon të shndërrohet në një shprehje boshe, të zhveshur nga thelbi i saj. Pyetja nuk është se çfarë media duam, por çfarë shoqërie duam të jemi. Një shoqëri ku informacioni përdoret si instrument manipulimi apo një shoqëri ku ai është parakusht për mendim të lirë. Një shoqëri ku promovohen argumentet apo senzacionet.”, - deklaroi presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.
Roverelit: Shërbimet publike mediatike, përgjegjëse për ndërtimin e besimit të publikut
Përballë përhapjes së populizmit dhe forcimit të tendencave autoritare në Evropë, shërbimet publike mediatike kanë përgjegjësi të veçantë në ndërtimin e besimit të publikut dhe në mbështetjen e demokracisë përmes informimit të besueshëm, pluralizmit dhe debatit të hapur publik.
“Populizmi po përhapet në Evropë, tendencat autoritare po forcohen, ndërsa pasojat e përhapjes së informacioneve të rreme po bëhen gjithnjë e më të mëdha. Sektori ynë duhet të punojë vazhdimisht për ndërtimin dhe forcimin e besimit të publikut, duke dëshmuar përmes punës së përditshme se si shërbimet publike mediatike kontribuojnë në jetën demokratike. Ato kanë një rol të rëndësishëm në sigurimin e informimit të paanshëm, pluralizmit të mendimeve dhe debatit publik, si dhe në forcimin e demokracisë dhe të vetëdijes qytetare.”, - theksoi Mishel Roverelit nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) Gjenevë.
Pejoviq: Të përballemi me sfidat dhe mundësitë e IA-së
“Të përballemi me sfidat dhe të shfrytëzojmë mundësitë që ofron inteligjenca artificiale, duke ruajtur integritetin dhe sigurinë e informacionit. Në të njëjtën kohë, duhet të mbrojmë pluralizmin mediatik dhe të promovojmë edukimin mediatik, të cilët janë thelbësorë për formimin e një opinioni publik të mirëinformuar dhe të pavarur.”, - u shpreh zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Iniciativës së Evropës Qendrore, Ivana Pejoviq.
Sfidat në fushën e lirisë së mediave në Maqedoninë e Veriut pasqyrohen edhe në raportet ndërkombëtare. Komisioni Evropian vlerëson se gjatë vitit 2026 nuk ka pasur progres në këtë drejtim, ndërsa sipas Reporterëve pa Kufij, Maqedonia e Veriut renditet e 45-ta në mesin e 180 shteteve. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
