Sulmoi fizikisht partneren, Gjykata e Ohrit i caktoi 30 ditë paraburgim, MPB: Zgjerojmë hetimin
17.11.2026 17:47
Gjykata Themelore e Ohrit ka caktuar 30 ditë paraburgim...

Gjykata Themelore e Ohrit ka caktuar 30 ditë paraburgim për 31-vjeçarin të akuzuar për sulm fizik ndaj partneres së tij 26-vjeçare. Vendimi vjen pasi që Prokuroria e ngarkoi për tri vepra penale: për lëndim trupor, privim të kundërligjshëm nga liria dhe rrezikim të sigurisë.
Sipas Prokurorisë, ai e ka mbajtur partneren të mbyllur në mënyrë të kundërligjshme, e ka sulmuar dhe i ka shkaktuar lëndime trupore gjatë ushtrimit të dhunës në familje. Ndërkohë policia ka vazhduar me mbledhjen e materialeve dhe dëshmive të reja. Drejtori i Byrosë për Siguri Publike thotë se për rastin në fjalë, Ministria e Brendshme ka ndërmarrë të gjitha masat që janë në kompetencë të këtij institucioni.
“Ne punuam në dokumentimin e tërë rastit. Hetuam rrethana të reja, elemente dhe dëshmi materiale. Pas paraqitjes së provave shtesë dhe dërgimit të njoftimit të prokurorit publik kompetent, vendimi u ndryshua dhe personit, me kërkesë të Prokurorisë, iu shqiptua nga gjykata masë e paraburgimit aktiv.”, - deklaroi Aleksandar Janev nga Byroja për Siguri Publike.
Për rastin e dhunshëm ndaj Sarës reagojnë nga LSDM-ja. Ata kërkojnë vendosjen urgjente në rend dite të ndryshimeve të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave, dhe mbajtjen urgjente të një seance të Komisionit për Mundësi të Barabarta të Grave dhe Burrave, me praninë e Toshkovskit dhe Saveskit.
“Si grup parlamentar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë dhe partnerëve të koalicionit, kërkojmë miratimin urgjent të konkluzioneve nga debati mbikëqyrës, të cilat do të mundësojnë funksionalitetin e sistemit, jo përmes vërejtjeve, jo përmes rekomandimeve, por përmes detyrimit të institucioneve për të vepruar.”, - theksoi Jovanka Trençevska nga LSDM.
Dhuna ndaj grave, LSDM- ja kërkon ndryshime ligjore, Siljanovska Davkova: Duhen masa urgjente
Edhe kryetarja e shtetit ofrohet që të organizojë takim për masa konkrete kundër dhunës në bazë gjinore.
“Është e domosdoshme që fillimisht të ulemi të gjithë së bashku. Unë jam e gatshme ta organizoj këtë takim. Pra, ata që i ndryshojnë ligjet, deputetët dhe veçanërisht deputetet, sektori joqeveritar, ekspertët, por janë të mirëseardhura edhe ato pak gra që janë në pushtet.”, - u shpreh kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
Shefja e shtetit shpreh keqardhje që, pavarësisht ndryshimeve në Kodin Penal, ligjeve që lidhen me Konventën e Stambollit dhe takimeve të shumta ndërmjet institucioneve, sektorit joqeveritar dhe ekspertëve, dhuna ndaj grave nuk po shënon rënie.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
