Tetovë, alarm për bombë në dy shkolla, një i arrestuar

17.11.2026 17:47

Alarmet për vendosjen e bombave rikthehen sërish në shkollat e Tetovës...

Kësaj radhe, cak ka qenë përsëri Gjimnazi i Tetovës, ku vetëm gjatë ditës së sotme janë pranuar dy alarme për mjete shpërthyese.
 
Mesazhet alarmuese kanë detyruar evakuimin e nxënësve, stafit administrativ dhe profesorëve, ndërsa në vendngjarje kanë dalë ekipet policore të SPB Tetovë, të cilat kanë kryer kontrollet e nevojshme për të verifikuar nëse bëhet fjalë për ndonjë rrezik real. Drejtori i Gjimnazit të Tetovës, Jeton Kamberi, thotë se kjo situatë po përsëritet pikërisht në të njëjtën datë kur, para një viti, kishin filluar alarmet e para për bomba. Por, sipas tij, dallimi këtë herë është se brenda një dite janë pranuar dy alarme.
 
“Sot ka filluar përsëri sezoni i alarmeve. Është periudha e ngjashme që ngjason me vitin e kaluar. Ju po thoni është hera e dytë, në fakt është hera e dytë për të njëjtën ditë. Kjo vitin e kaluar nuk ka ndodhur. Alarmi i parë ka rezultuar në orën 09:30, në mëngjes, pas përfundimit të pushimit të gjatë që kanë nxënësit e paradites. Sa ka filluar ora e parë e ndërrimit të dytë në 13:40, kanë ardhur punonjësit e organeve të brendshme, do të duhet të bëhet edhe një evakuim sikur mesazhi është edhe një alarm i pasdites.”, - deklaroi drejtori i Gjimnazit të Tetovës, Jeton Kamberi.
 
Ndërkohë, lidhur me rastin ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Brendshme, nga ku njoftojnë se mëngjesin e sotëm, nga ora 05:45 deri në 07:25, policia ka realizuar bastisje në shtëpinë dhe objektet ndihmëse të një 18-vjeçari në fshatin Radiovcë të Tetovës.
 
Sipas njoftimit policor, i riu me inicialet A.D. dyshohet për kryerjen e veprës penale sipas nenit 366 të Kodit Penal, përkatësisht për lajmërim të rremë për bombë në Gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq”.
 
Gjatë bastisjes, policia ka sekuestruar një telefon celular, ndërsa 18-vjeçari është privuar nga liria dhe është dërguar në stacion policor për procedura të mëtejshme. Nga MPB bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë edhe kallëzimi përkatës.
 
VISAR SADIKI